SHKODER- Në çdo sallë kirurgjie në spitalin Rajonal të Shkodrës ka nisur përdorimi i instrumenteve të rinj kirurgjikalë, përmes programit modern të sterilizimit, i cili sapo ka nisur funksionimin në këtë spital, duke rritur sigurinë për pacientët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pa nga afër këtë investim, i cili, sipas Manastirliu do të rrisë sigurinë për pacientët dhe do të reduktojë infeksionet spitalore.

“Pas shtrirjes së programit të sterilizimit në të gjithë shërbimet kirurgjikale në 5 spitalet universitare të Tiranës, ky program modern ka nisur tē funksionojë edhe në spitalin Rajonal të Shkodrës, ku është ngritur centrali i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë. Ky shërbim do të mbulojë edhe spitalin e Lezhës dhe Pukës për rreth 5,000 ndërhyrje në vit, duke zëvendësuar autoklavat e vjetra, të amortizuara, të cilat deri më sot nuk kanë mundësuar të sigurojnë standardet europiane të sterilizimit”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Vlera e këtij investimi për spitalin Rajonal të Shkodrës është 1.2 milion Euro.

“Brenda muajit Dhjetor ky shërbim do të ofrohet edhe në spitalin e Elbasanit dhe në 6 muajt e parë të vitit 2018 do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit, duke rritur sigurinë për pacientët dhe duke përmirësuar kushtet e punës së mjekëve”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Prof.Gëzim Galiqi, shefi i shërbimit të kirurgjisë në spitalin e Shkodrës u shpreh se ky program sterilizimi është maksimumi që mund të kemi përsa i takon sigurisë së pacientëve.

Programi i sterilizimit parashikon furnizimin e të gjithë spitaleve të vendit me instrumenta të rinj kirurgjikalë modernë; sterilizimin cilësor të instrumenteve kirurgjikalë; ofrimin e materialeve të buta ndihmëse njëpërdorimëshe për ekipin mjekësor dhe shtratin e operacionit; dezinfektimin e sallës së operacionit në fund të ditës; përpunimin e mbeturinave të rrezikshme dhe shndërrimin e tyre në mbetje urbane; ofrimin e set-it të personalizuar sipas çdo lloj ndërhyrje kirurgjikale.

“Me këtë investim, por edhe me investimet e 4 viteve të fundit me vlerë 400 milionë lekë në infrastrukturë, pajisje bio-mjekësore dhe ngritjen e shërbimeve të reja, spitali Rajonal i Shkodrës po kthehet në një qendër ekselence për veriun e Shqipërisë”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: