Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Suedia deporton drejt Shqipërisë Kimete Tafilin, nënën e Genci dhe Admir Tafilit. Lajmi konfirmohet nga burime të afërta të familjes Tafili në Suedi, të cilët shfaqin frikë dhe pasiguri për jetën e gruas së sapombërritur në vendin tonë. Ndonëse e moshuara ka prekur pas disa ditësh tokën shqiptare, nuk dihet vendndodhja e saj, pasi sikurse theksojnë burimet, qëndron e fshehur nga frika e gjakmarrjes, një histori që zuri fill 14 vite më parë, kur në derën e banesës së tyre në Shkodër, u vra kolonel Arben Zylyftari. Të njëjtat burime thanë për “GSH”, se Kimete Tafili u mbajt nën kujdestari për disa ditë me radhë, derisa u transferua për në Shqipëri të enjten e javës që po lëmë pas. Deportimi erdhi fill pasi Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë kërkesën e pjesëtarëve të familjes Tafili për të mos u deportuar drejt vendit tonë, ndërsa më herët, Bordi i Migracionit kishte refuzuar statusin e azilit. Vendndodhja e pjesëtarëve të kësaj familjeje, që ishin zhdukur prej disa vitesh nga Shqipëria, kur shtëpia e tyre në Shkodër u shkatërrua nga shpërthimi i një sasie të madhe tritoli, u zbulua në momentin kur në Boras, Suedi, u plagos nipi i Genci e Admir Tafilit, 12-vjeçar. Deri në ditën e fundit të dhjetorit 2013, askush nuk dinte për fatin e pjesëtarëve të kësaj familjeje. Aktualisht në Suedi ndodhet pjesa tjetër e familjes prej dhjetë anëtarësh. Konkretisht, gruaja dhe vajza e Genci Tafilit, ky i fundit i dënuar me 25 vite burg për pjesëmarrje në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, gruaja dhe fëmijët e Admir Tafilit, si dhe familja e vëllait të tretë, i vetmi i papërfshirë në zinxhirin e krimeve të rënda të ndodhura në 14 vite. Burime të besuara të “GSH” thonë se pjesëtarët e familjes Tafili qëndrojnë të fshehur në Suedi, pasi nëse zbulohen dhe kapen nga autoritetet, deportohen menjëherë drejt Shqipërisë.
Familja këmbëngul se në vendin tonë është e rrezikuar nga gjakmarrja, ndaj përmes një avokati suedez ka vendosur t’i drejtohet gjykatës europiane për të drejtat e njeriut, duke kërkuar prej saj të ndalë fillimisht deportimin. Por, derisa kjo gjykatë të dalë me një vendim, në çdo moment, natyrisht nëse gjendet, familja Tafili rrezikon kthimin.
Krimi në Suedi
Më 31 dhjetor 2013, kur dhe vetëm pak orë dhe hynte Viti i Ri, nipi i Admir dhe Genc Tafilit u tentua të vritej në Suedi. Ngjarja e rëndë ndodhi para një kishe në Boras, ku djali 12-vjeçar u gjet i plagosur me tre plumba dhe me plagë thike në qafë. Mediat raportuan se i mituri ndodhet në spital dhe mjekët e përshkruan gjendjen e tij ende si serioze, por të qëndrueshme. Në fakt, i mituri qëndroi për disa kohë në spital, por për fat ia hodhi. Policia, e cila nisi hetimin, gjatë kërkimeve në zonë ka gjetur një revistë dhe një thikë.
Policia ndër të tjera tha se një njeri në moshën 20-25 vjeç, i veshur me jelek reflektues, ishte parë në zonë në kohën kur ka ndodhur krimi. Sipas dëshmive, ai poshtë kishte veshur rroba të zeza, me flokë të shkurtër. Por, ndonëse po mbushet fiks një vit prej krimit të rëndë, ende nuk është identifikuar autori.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: