Siç ishte lajmëruar edhe më herët, paraditen e sotme u zhvillua nga Ministria e Brëndshme një sulm i simuluar me armë kimike pranë Rinasit, në kuadër të reagimit kundër një incidenti të tillë.

Stërvitja u zhvillua  nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe në të marrin pjesë një sërë forcash të tjera nga Zjarrfikësit, Agjencia e Mjedisit, Urgjenca etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha se stërvitja bëhet në kuadër të projektit 44 të Bashkimit Europian për mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë.

“Sot u mblodhën në një stërvitje të përbashkët në kuadër të projektit 44 të Bashkimit Europian për mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë ose siç njihen ndryshe si armët kimike. Kemi kohë që e përgatisim këtë stërvitje të përbashkët. Skenari ishte shpërthimi i laboratorit të kimisë tonë, për të reaguar strukturat shtetërore dhe publike ndaj armëve të shkatërrimit në masë,” tha Prençi.

Ai shpjegoi dhe fazat në për të cilat kalon stërvitja dhe procesi i tillë nëse do të ndodhte në të vërtetë

“Kjo stërvitje synon që të afrohemi sa më afër realitetit në kuadër të intensifikimit të terrorizmit në botë. Kjo stërvitje zhvillohet për herë të parë. Stërvitja ka të bëjë me evakuimin e shpejtë të të kontaminuarve në incident. Evakuimi grup pas grupi, dekontaminimi dhe dhënia e ndihmës sa më të shpejtë shëndetësore,” tha Prençi.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb