NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

2 fileto merluci
400 gr domate të pjekura
2 thelpinj hudhër
1 presh, pak tabasko
150 gr bukë bajate
1 ½ lgj kaperi
30 gr ullinj pa bërthamë
Trumzë, nenexhik, borzilok
Kripë, piper i zi
Vaj ulliri
Pergatitja
Presim domatet në copa, i vendosim në një tas ku shtojmë kripë, piper, hudhër, trumzë, nenexhik, borzolik dhe 1 copë presh. I përziejmë mirë, i mbulojmë dhe i lemë të marinohen për 1 orë e 30 minuta – 2 orë në frigorifer.

Ndërkohë pastrojmë bukën nga korja dhe tulin e presim në kubikë të vegjël. E vendosim më pas bukën në një tigan me pak vaj dhe e skuqim atë në temperaturë mesatare duke shtuar kaperi të grimcuar dhe ullinjtë të prerë në unaza të holla.

Pasi të kalojnë rreth 2 orë nga marinimi i domateve, nxjerrim tasin nga frigoriferi dhe largojmë hudhrën dhe preshin nga tasi dhe më pas pjesën tjetër e kalojmë në blender dhe e kthejmë në pure duke shtuar dhe disa pika tabasko.

Ndërkohë kemi vendosur një tenxhere me 700 ml ujë, 2 lugë vaj ulliri, 1 thelpi hudhër, erezat dhe pak kripë. Lajmë dhe thajmë filetot e merlucit, i presim në copa dhe i vendosim në tenxhere për të zjerë vetëm për 4 minuta.

Shërbejmë në një pjatë fillimisht supën e ftohtë pikante ku vendosim 2 copa merluc dhe mbi peshk hedhim bukën e skuqur krokante me kaperi dhe ullinj.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb