Luçiano Moxhi dhe Partizani, kanë qenë surprizat e ditës së djeshme në ambientet e merkatos së futbollit Italian. Ish-drejtuesi i Juventusit kishte më shumë se një dekadë që nuk qarkullonte në ambientet ku klubet dhe menaxherët diskutojnë për transferimet e mundshme të verës, si pasojë e dënimit të dhënë nga drejtësia sportive që e ka përjashtuar nga aktivitetet futbollistike në Itali.

Por ai është “kthyer në kohë” falë detyrës që ka ndërmarrë te Partizani, duke anashkaluar kësisoj këtë dënim, për të qarkulluar i pashqetësuar, duke treguar se mund të ketë ende ndikim në futbollin e luajtur.

Shumëkush nuk e priste një kthim të tillë prej protagonisti të Moxhit, i cili edhe në hyrjen e tij në hotel “Gallia Excelsior” të Milanos, skena kryesore e merkatos së futbollit përtej Adriatikut, e ka bërë si në kohët e vjetra. Mediat italiane raportojnë se ai ka hyrë në hotel i shoqëruar nga shumë bashkëpunëtorë të tij të vjetër dhe me një truprojë që i shkonte kudo nga mbrapa.

Moxhi ka takuar miqësisht shumë prej menaxherëve dhe përfaqësuesve të klubeve të pranishëm në sallën e madhe ku zhvillohen bisedimet e merkatos, rreth 40 të tillë në ato momente. Por ai ka sqaruar se tashmë vinte mes tyre si një përfaqësues i Partizanit, këshilltar për merkaton i klubit shqiptar.

Megjithatë, mediat përtej Adriatikut insistojnë se nuk është vetëm Partizani që kërkon këshilla në këtë periudhë nga Moxhi, por edhe disa nga drejtuesit e klubeve italiane, duke njohur ndikimin që ka dhe nuhatjen e tij për marrëveshje fitimprurëse./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: