TIRANË- Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka dalë kundër Ministrisë së Arsimit për sa i përket deklaratave të saj se tarifat e arsimit të lartë nuk janë rritur nga 2014.

Në një status në “Facebook”, Tabaku duke iu referuar INSTAT thotë se tarifat janë rritur që nga shtatori 2013 e më tej, duke publikuar edhe tabelën e të dhënave.

“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Ministrja e Arsimit u shpreh sot se nuk ka pasur rritje tarifash nga 2014 dhe se për vitin 2017 dhe vitin 2018 nuk do të kemi rritje tarifash. Sipas shifrave të marra nga INSTAT, tarifat e shkollimit të Arsimit të Lartë janë rritur që nga shtatori 2013 e më tej. Siç mund ta shihni nga tabela bashkangjitur, vihet re rritja e tarifave në secilën degë. Rritje që varion nga 30% deri në 100%”, shkruan Tabaku.

tabela tarifat arsimi

Por ajo paralajmëron gjithashtu se këtë vit të ri akademik do të hyjë në fuqi plotësisht ligji për arsimin e lartë dhe universiteteve do iu kërkohet të bëjnë investime me të ardhurat e tyre, çka sipas saj do të thotë tarifa më të rritura.

“Ndërkohë, vitin e ardhshëm akademik do të hyjë në fuqi plotësisht ligji i ri për arsimin e lartë dhe universiteteve do të vazhdojë t’iu kërkohet t’i rrisin pagat me të ardhurat e tyre (siç iu është kërkuar tashmë), të bëjnë investime nga të ardhurat e tyre, të marrin pedagogë me të ardhurat e tyre e këto shpenzime e të gjitha do vijnë nga tarifat e rritura!
Machiaveli thotë ‘Nëse gënjen, gënje fort, shumë dhe shpesh. Kështu të gjithë, edhe ata që e dinë të vërtetën, do të fillojnë të dyshojnë tek vetja’”, deklaron Tabaku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: