TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i bëri thirrje Presidentit të Republikës Bujar Nishani, të japë shpjegime për caktimin e gjyqtarit Arjan Aliaj për gjykimin e drejtorit të policisë Haki Çako. Sipas ministrit, “nëse gjen kohë për lojërat e kalamajve, presidenti duhet të gjejë kohë që të përgjigjet”.

“Për cilën arsye u përzgjodh gjyqtari Arjan Aliaj që ka dhënë të paktën 4 dënime të tjera për të dënuar nga burgu që kanë kryer vjedhje me arme dhe dhunë. Për cilën arsye u shkel ligji, rregulli dhe u përzgjodh jashtë ligjit ky gjyqtar. Unë besoj se presidenti do të kthejë përgjigje, për sa kohë ka kohë të merret me lodrat e kalamajve”- deklaroi Tahiri.

Ministri përmendi disa raste të gjyqtarëve që i ka denoncuar tek presidenti, njëherësh kreu i KLD-së, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e tij.

“Unë i kam denoncuar Presidentit të Republikës një gjyqtar në Kavajë i cili ka liruar një person të akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur dhe deri më sot presidenti nuk është përgjigjur. Kam denoncuar një gjyqtar që ka liruar një person të dënuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me armë dhe presidenti nuk është përgjigjur.  Kam denoncuar një gjyqtar që ka dhënë masën detyrim paraqitje për një gjyqtar që është dënuar për tentativë vrasje dhe nuk është përgjigjur.”- deklaroi Tahiri.

Duke iu referuar reagimit të Gjykatës së Tiranës, Tahiri tha se  për herë të parë Gjykata e Tiranës pranoi një skandal, sipas tij, atë të zëvendësimit të gjyqtarit Adriatik Bocaj me Ardian Aliaj.

“Pas denoncimit tim dje të skandalit në gjykatën e Tiranës për regjistrimin jashtë rregullave dhe jashtë shortit të gjyqtarit që duhet të gjykonte rastin e Çakos dhe futjen jashtë rregullit të gjyqtarit Ardian Aliaj. Gjykata e pranoi se skandali ekziston dhe se Alija ishte përzgjedhur pasi gjyqtari tjetër kishte arsye shëndetësore. Hera e dytë që dëgjoj kështu justifikimesh si Lulzim Basha kur nuk duhet të shkonte në gjyq që çonte raporte.”- tha ministri.

“Për cilën arsye kryetari i gjykatës tiranë, Fatri Islami, i lidhur jo vetëm nga vendlindja me Berishën, për cilën arsye ka përzgjedhur jashtë ligjit, jashtë rregullit gjyqtarin Arjan Aliaj. Për cilën arsye duhej ky shërbim politik? Pse duhet të përzgjidhej pikërisht ky në një çështje që nuk ka lidhje me të vërtetën dhe drejtësinë. Këto janë pyetje që duhet tu japë përgjigje Presidenti i Republikës, në cilësinë e kryetarit të KLD-së.”- vijoi Tahiri.

Sipas ministrit, “ne nuk kemi nevojë për shërbëtorë politike në sistemin e drejtësisë, por për njerëz që i shërbejnë ligjit, të drejtës dhe qytetarëve. Ne do vazhdojmë të denoncojmë me fakte cilindo që ka shkelur ligjin duke mos betë drejtësi sipas ligjit, por duke i rënë çekiçit sipas interesit”.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: