TIRANË- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vizituar sot në spital gazetarin Elvi Fundo që u dhunua sot nga persona ende të paidentifikuar. Tahiri ka qenë bashkë me Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj ndërsa pas daljes nga Qendra Spitalore e Traumës ka dhënë edhe një prononcim për mediat ku ka treguar premtimin e tij për gazetarin.

“Erdha të vizitoj, bashkë me drejtorin e Tiranës, gazetarin Fundo. I shpreha gjithë keqardhjen time për gjithçka ka ndodhur dhe e garantova, bashkë me drejtuesit e policisë, që do bëjmë maksimumin që kjo ngjarje të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para përgjegjësisë”, tha Tahiri.

Ai i ka bërë thirrje opozitës të mos e politizojë këtë histori.
“Do i bëja thirrje kujtdo, mbi të gjitha opozitës që të ndalë një orë e më parë politizimin e kësaj historie. Nuk bëhet politikë dhe nuk fitohen vota duke politizuar çdo ngjarje në Shqipëri. E mira është që të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar që Shqipëria të bëhet një vend më i sigurt dhe ku gjithkush të ketë mundësi të ushtrojë profesionin e tij pa pasur asnjë problem dhe asnjë çështje shqetësuese. E dëgjova pak deklaratën e opozitës dhe të them të drejtën nuk ndjej gjë tjetër veçse trishtim”, u shpreh Ministri i Brendshëm.

Sipas tij, askujt nuk i shërben politizimi i panevojshëm i çdo situate.
“Siç të gjithë duhet të bëhemi bashkë të inkurajojmë forcat e zbatimit të ligjit që të bëjnë gjithçka është e mundur për të çuar përpara drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë rast apo për cilin do rast tjetër”, tha Tahiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: