PD-ja tërhoqi dje ministrat e saj nga qeveria “Rama” ndërsa zyrtarisht pritet që zv.kryeministrja Ledina Mandija dhe gjashtë ministrat teknikë të Partisë Demokratike të dorëzojnë sot në Kryeministri tekstin e dorëheqjes.
Gazetarja Marsela Karapanço konfirmon për BalkanWeb se pritet që dorëheqja t’i mbërrijë me postë kryeministrit Rama deri në orën 16:00 të ditës së sotme, kur mbyllet edhe zyra e protokollit në Kryeministri.
Të njëjtat burime saktësojnë se nuk do të ketë asnjë takim mes tyre dhe kryeministrit Rama, të cilin nuk e takuan asnjëherë në këto 3 muaj. Deri më tani kërkesa e tyre nuk ka mbërritur ende, ndërsa e vetmja që u pa në kryeministri, ishte zv.kryeministrja Mandija.
Nuk dihet nëse pas dorëzimit të kërkesës për dorëheqje, ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të largohen menjëherë nga detyra apo do të qëndrojnë deri në formimin e qeverisë së re në muajin shtator, siç e kërkon Kushtetuta.
Ministrat e larguar morën detyrën menjëherë pas marrëveshjes politike Rama-Basha në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.
EMRAT E MINISTRAVE TEKNIKË TE DOREHEQUR
Zv.kryeministrja Ledina Mandija,
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj,
Ministrja e Financave Helga Vukaj,
Ministrja e Arsimit Mirela Karabina,
Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi,
ministria e Mirëqenies Sociale Xhulieta Kërtusha
Ministri i Shëndetësisë Arben Beqiri
Ministrat e larguar morën detyrën menjëherë pas marrëveshjes politike Rama-Basha në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.
(m.a/BalkanWeb)