UASHINGTON- Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi sot në një intervistë se kuptohej shumë, shumë mirë me homologun rus, Vladimir Putin, me të cilin u takua gjatë samitit të G20-s në Gjermani.

“Njerëzit thonë, ata nuk duhet të kuptohen. Kush janë këta njerëz? Mendoj se kuptohemi shumë, shumë mirë”, deklaroi ai në një intervistë për stacionin televiziv Christian Broadcasting Network (CBN) regjistruar dje në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne jemi një fuqi bërthamore shumë e fuqishme dhe ata gjithashtu. Nuk do të ishte logjike të mos kishim asnjë marrëdhënie me ta”, theksoi presidenti amerikan, Donald Trump.

Ai vlerësoi armëpushimin e fundit në jug të Sirisë duke e cilësuar si fryt i takimit të tyre që zgjati dy orë e 15 minuta në Hamburg javën e kaluar.

“Armëpushimi u mbajt për katër ditë. Armëpushimet e tjera nuk janë mbajtur kurrë. Kjo ndodhi sepse presidenti Putin dhe presidenti Trump ranë dakord dhe kjo ndodhi”, nënvizoi ai.

“Është e rëndësishme të kemi një dialog, sepse pa dialog, ka shumë probleme për vendin tonë dhe për vendin e tyre”, shtoi presidenti Trump.

Më pas ai nënvizoi se Vladimir Putin do të kishte preferuar që Hillary Clinton të ishte zgjedhur presidente, sepse ndryshe nga ai, ajo nuk do të kishte kërkuar rritje të shpenzimeve ushtarake dhe as zhvillimin e eksporteve të hidrokarbureve.
“Që prej fillimit jam shprehur se dëshiroj një ushtri të fortë”, deklaroi drejtuesi republikan.

Kjo intervistë u dha për Pat Robertson, një figurë e djathtë amerikane, 87 vjeç, i cili zhvillon një emision në stacionin CBN, ku ai është edhe themelues.

Kjo është intervista e parë që prej rikthimit nga G20-ta dhe që prej zbulimit se djali i tij, Donald Jr. ishte takuar vitin e kaluar me një avokate ruse, prej të cilës kishte menduar se do të merrte informacione kompromentuese për Hillary Clinton.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: