TIRANË- Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka marrë pjesë sot në Takimin Kombëtar të Dizenjuesve të rinj shqiptar, projekt i përbashkët mes MMSR dhe IADSA ku u bë dhe prezantimi i projektit për modelimin shqiptar të këpucëve.

Ahmetaj tha se trajnimi dhe kualifikimi profesional janë në funksion të rritjes së punësimit dhe mirëqenies sociale në Shqipëri.

Ministri i Financave foli edhe për rëndësinë e reformës në drejtësi në shërbim të ekonomisë, investimeve të huaja dhe punësimit.

“Reforma në drejtësi, thelbësore për ekonominë, investimet e huaja dhe rritjen e punësimit. Ashtu siç jemi të vendosur për reformën në drejtësi, ashtu jemi edhe të vendosur për rritjen e punësimit”, theksoi ai.

“Është një shembull i vogël por shumë domethënës ky event. Është një përpjekje e drejtpërdrejt për të rritur punësimin dhe për të rritur vlerën e punës dhe vlerën e kapitalit shqiptar për të konkurruar në ekonominë rajonale dhe globale. Ndaj i kushtuam rëndësinë e veçantë këtij eventi për të dhënë një sinjal të rëndësishëm për atë çfarë do të bëjmë në mandatin e dytë me punësimin”, tha Ahmetaj.

Ai u shpreh më tej se kjo ndërmarrje ka treguar se si kalohet në një industri shqiptare.

“Është një ndërmarrje pionier dhe ka treguar se si kalohet nga një ndërmarrje fason në një industri të lehtë shqiptare ku vula e firma e Shqipërisë vendoset në emra shumë të rëndësishëm. Është një ndërmarrje me histori të veçantë. Në ditët e para vetëm e mësonin dhe sot arrin të mësojë. Një nga eksportuesit tanë të rëndësishëm. IADSA ka qenë një program i suksesshëm dhe vazhdon të jetë e mbi të gjitha i fokusuar tek punësimi”, theksoi Ahmetaj.

Ai tha se detyra e qeverisë është të mbështesë iniciativat private në favor të punësimit.

“Megjithëse kemi bërë shumë akoma jemi larg pritshmërisë së qytetarëve. Çdokush në territorin e Shqipërisë ka halle të pazgjidhura dhe ka pritshmëri shumë të lartë ndaj qeverisë shqiptare. Kemi hapur shumë vende pune por ka ende shumë nevoja për vende pune, qytetarët të presin nga qeveria e iniciativat private dhe detyra jonë është t’i mbështesim këto iniciativa në favor të punësimit”, tha Ahmetaj.

Të pranishëm në takim ishin dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, ambasadori italian Alberto Cutillo dhe kreu i Bisnes Albania Luan Bregasi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb