TIRANE- Kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha thirri sërish në një mbledhje aleatët e tij të koalicionit opozitarë, ku u diskutua mbi paketën McAllister. Pavarësisht se takimi në selinë blu, i cili nisi rreth orës 21:00, u zhvillua me dyer të mbyllura, “BalkanWeb” ka mësuar se lideri i demokratëve ka informuar aleatët e tij se kryeministri Edi Rama refuzon shtyrjen e datës së zgjedhjeve, që aktualisht janë caktuar të mbahen në 18 qershor.

“Rama nuk pranon të shtyjë datën 18 qershor dhe besoj kjo e rrëzon në thelb paketën McAllister sepse nuk ka kohë deri në 18 qershor që të përmbushen kushtet e tjera që parashikon kjo paketë. Në këtë situatë besoj gjithçka është e qartë. Rama është tërhequr nga paketa McAllister, ndaj dhe ne do vijojmë protestën sikundër jemi rakorduar më parë”, – mëson “BalkanWeb” të jetë shprehur ndër të tjera Basha në takimin me aleatët.

Burime nga PD bënë gjithashtu me dije për “BalkanWeb” se opozita ka rënë dakord për vettingun dhe ka dhënë ‘Ok’ për paketën McAllister. Kjo paketë kishte afatet kushtetuese ku parashikonte që zgjedhjet mund të mbaheshin deri në fund të korrikut.

ÇFARË PARASHIKON PAKETA MCALLISTER
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
4. Kalimi i kreut të KQZ­së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-­së, pjesëmarrje të OJQ­ve në të gjithë këtë proces.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb