TIRANE- Pronësia e tokës bujqësore është proces që ka krijuar jo pak problematika në vendin tonë. Me ndarjen e tokës bujqësore në vitin 1991 me ligjin 7501, lindën edhe problemet e vazhduara, jo vetëm sa i takon regjistrimit, por edhe marrjes së titujve të pronësisë.

Ekspertë të fushës thonë se procesi i regjistrimit të këtyre tokave bujqësore tashmë është drejt finalizimit, ndërkohë vijohet me procesin e legalizimit.

Emsioni “Të bësh ekonomi” me gazetaren Vjollca Kongjoni sjell në vëmendje këtë proces, ndërkohë që panelistët në studion e “News24” janë ndalur tek problematikat kryesore.

Eksperti i procesit të regjistrimit të tokave bujqësore, Tarelli tha se procesi i ndarjes së tokës ka nisur që me ligjin 7501. Vijimi i këtij procesi tashmë është me marrjen e dokumentit të pronësisë. Pra të merret tapia. Qëllimi i dy ligjeve më të fundit dhe shtyrjes së afatit është që ato subjekte që nuk kanë në dorë titujt e pronësisë ta realizojnë këtë”, tha Irfan Tarelli, drejtor i Administrimit të Tokës, në Ministrinë e Bujqësisë.

Drejtoresha juridike e ZQRPP, Merita Qato, tha se tashmë jemi në një proces ku 80 % e tokës bujqësore është e regjistruar, dhe po vijohet me procesin e legalizimit. Por edhe gjatë këtij procesi ka problematika, pasi sipas saj ka mospërputhje të sipërfaqes në akt me faktin.

“Me vijimin e reformës territoriale dolën në pah edhe këto probleme të tjera. Ka mangësi në akte, mbivendosje, etj. Këto janë problematika të konstatuara gjatë procesit. Me këtë vendim të Këshillit të Ministrave u është dhënë një kompetencë e re bashkive për të zgjidhur këto problematika”, u shpreh Qato.

Ekspertja e titujve të pronësisë, Majlinda Bozgo, tha se procesi i plotësimit të këtyre titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është shumë e rëndësishëm. Bozgo tha se këto akte duhet të jenë sa më thjeshta si për qytetarët ashtu edhe për institucionet e lidhur me këtë proces.

“ZRPP në bashkëpunim me agjencinë pr realizimin e reformës terrotoriale kanë realizuar takime në bashki për të trajtuar personelin e bashkive që merren me realizimin e këtij procesi. Bashkitë duhet të sensibilizojnë qytetarët, për të ecur me procesin”, tha Bozgo.

Merita Qato, tha se për të shmangur problematikat, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka mundësuar trajnimin e punonjësve të bashkive për të realizuar sa më mirë procesin.

“Duke qenë se shumë bashki në mungesë të mundësisë për të patur një inxhinier me licencë u dha mundësia që të përdoren topografët e bashkive. Ne bëmë trajnim të përbashkët”, tha Qato.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb