Pas denoncimit të një administratoreje biznesi në Spille të Kavajë, ku sipas së cilës dy inspektorë të Tatimeve i kishin marrë abuzivisht 40 mijë lekë të reja, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një status në Facebook, ku shkruan se duhet ngritur sa më parë krye ndaj këtij “soji grabitqarësh”.

“Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër,” shkruan Rama.

Statusi i plotë i Ramës

I MADH E I VOGËL TË NGREMË KRYE NDAJ KËTIJ SOJI

Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta “hetues tatimorë”, të cilët me aktin dhe paraqitjen e tyre të sjellin stomakun në fyt! Këta janë Armiku Publik Nr.1 i popullit shqiptar sot dhe i madh e i vogël, duhet të ngremë krye kudo dhe kurdo na dalin përpara…

I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin.

Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër.

Po punojmë papushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe Platformën online të Bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike.

Denoncimi 

“Më datë 21 korrik gjatë orëve të mbrëmjes nga strukturat e Policisë është finalizuar operacioni i koduar FND, i cili u realizua pas një denoncimi të bërë nga një subjekt privat drejpërsëdrejti tek kryeministri Edi Rama. Me marrjen e dijenisë për këtë denoncim, u organizua puna për vënien në lëvizje të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat e tjera të policisë, dhe Prokurorinë e Kavajës.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– Ermal Harrizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në drejtorinë e hetimit tatimor Tiranë.
– Ervin Kule, 29 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në drejtorinë rajonale Tiranë.
– Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në drejtorinë rajonale Tiranë.

Arrestimi i këtyre personave u bë pasi më 21.07.2017 të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll tatimor pranë një subjekti në Spille, në Kavajë, me administratore shtetasen A.M. Duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë asaj shumë prej 40 mijë lekë të rinj”, u shpreh kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Ardi Veliu në një konferencë për mediat.

Sakaq, policia po vijon punën për dokumentimin e rastit, dhe hetimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve.

Ndërsa materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së rrethit Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv” i personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe “shpërdorim i detyrës”.

Në fund të fjalës së tij, kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u bëri një thirrje qytetarëve dhe sipërmarrësve: “Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregtar që gjenden në kushtet shtrënguese si pasojë e sjelljes abuzive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurrim. Si dhe i siguron të gjithë për gatishmërinë për të reaguar në kohë reale në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës”.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb