TIRANE– Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar deklaratën e bërë disa ditë më parë nga Ilir Meta, teksa ishte duke u takuar me mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në emisionin “Studio e Hapur”, me gazetaren Eni Vasili, deputetja e LSI tha se situata në të cilën ndodhet vendi, ku sipas saj persona me precedentë penalë bëjnë fushatë për PS, garantimi i jetës së qytetarëve është prioritet.

Sakaq, Kryemadhi tha se në këtë situatë shihet e nevojshme miratimi i një ligji që lejon armatosjen e qytetarëve.

“Ne jetojmë këtu në mes të Tiranës. Po dilni e shikoni çfarë ndodh nëpër rrethe. Të gjithë krerët e bandave që janë në kërkim, lëviznin me makinat e policisë. Shkojnë me ta në dreka e darka. Janë nga 20 vite të dënuar për prostitucion në Itali, dhe bëjnë fushatë për PS. Nëse të vjen dikush të vendosi kallashnikovin ju çfarë do bësh ti”, tha Kryemadhi.

Kujtojmë se një thirrje të ngjashme për një ligj për armatosjen e qytetarëve, bëri edhe ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, deklaratë për të cilën pati reagime mjaft të ashpra.

Por Kryemadhi tha se deklarata e Metës është e ndryshme nga ajo e Berishës, pasi nuk është bërë në foltore, në një institucion zyrtar, apo nga podiumi i fushatës. Ajo tha se diçka e tillë u tha gjatë një shtrëngimi duarsh me qytetarët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: