VLORË- Dy vlonjatë kanë tentuar t’i ikin policisë ndërsa u është bërë shenjë të ndalonin makinën për një kontroll por janë vënë në pranga pak minuta më pas.

Policia e Vlorës bën me dije se në orët e mesnatës së kaluar, strukturat e policisë së qarkullimit rrugor kanë konstatuar një automjet të dyshimtë në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili nuk i është bindur patrullës së policisë por ka rritur shpejtësinë me qëllim për t’iu shpëtuar atyre.

Menjëherë, shërbimet e policisë mbështetur nga strukturat e rendit, i janë vënë në ndjekje këtij mjeti derisa kanë bërë të mundur bllokimin e tij në lagjen “28 Nëntori” Vlorë.

Gjatë kohës së ndjekjes është parë se personat kanë hedhur në tokë diçka të dyshimtë nga dritarja e mjetit.

Nga kontrolli i ushtruar brenda dhe jashtë mjetit tip “Porsche Cayenne” me targë ACD 5323, në një distancë prej 40-50 m larg mjetit, u gjet në tokë një armë zjarri tip Pistoletë e llojit “Bereta” bashkë me krehrin e mbushur me fishekë, por edhe me 1 fishek në fole (në gojën e armës).

Policia ka bërë arrestimin e menjëhershëm të dy personave që gjendeshin në automjet:
• Mikel Mehmetaj, 39 vjeç, banues në Selenicë.
• Vasil Papa, 34 vjeç, banues në Selenicë.
Materialet janë referuar në Prokurori në ngarkim të tyre për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: