LONDËR– Rritet nervozizmi mes të mbijetuarve dhe të afërmve të viktimave të zjarrit në kullën “Grenfell” në Londër.

Ata dënojnë menaxhimin e ndërtesës, por edhe reagimin e Theresa May përballë kësaj drame që shkaktoi të paktën 30 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur.

Me thirrjet “Nuk ka drejtësi”, “Nuk ka paqe”, rreth 100 manifestues, të afërm të viktimave apo të mbijetuarve të zjarrit kanë hyrë dje pasdite në bashkinë e lagjes Kensington dhe Chelse, ku ndodhet ndërtesa e banesave sociale, në perëndim të Londrës.

Disa qindra të tjerë ishin mbledhur jashtë ndërtesës publike, në një atmosferë shumë të tendosur duke akuzuar autoritetet për fshehjen e numrit real të viktimave.

“Turp për ju!”, thërrisnin disa, para se një marshim drej kullës ”Grenfell” të mblidhte disa mijëra persona me slogane kundër kryeministres britanike, reagimi i së cilës për dramën ishte shumë i kritikuar.

“Theresa May, ka ardhur koha të largohesh!”, thërrisnin ata në kor.
Një tjetër manifestim u zhvillua në mbrëmje në Oxford Circus duke bllokuar qarkullimin.

Manifestuesit akuzuan gjithashtu autoritetet lokale se nuk kishin dëgjuar paralajmërimet e tyre përsa i përket sigurisë së ndërtesës 24-katëshe, sepse ata vinin nga një popullsi, shumica e të cilëve kishte të ardhura modeste.

Shumë prej tyre konfirmuan se nuk kishte dalje emergjence, bombula zjarrfikëse dhe alarme për zjarr.
Veshja e vendosur vitin e kaluar në fasadë kishte favorizuar përhapjen e zjarrit.

Dje, Stuart Cundy, një shef i policisë londineze, nënvizoi se bilanci prej 30 të vdekurish ishte paraprak për shkak të numrit të personave që rezultojnë të zhdukur. Ai tha se shpresonte që ky bilanc të mos arrinte një numër treshifror.

“Disa prej viktimave mund të mos identifikohen kurrë”, shtoi ai.
Rreth 600 persona banonin në këtë ndërtesë me 120 apartamente dhe sipas medias britanike, 70 persona mungonin.

Rreth 24 persona ndodhen ende në spital, 12 prej të cilëve në gjendje kritike.
Theresa May vizitoi dje të plagosurit në spital. Një ditë më parë ajo shkoi në vendin e dramës për të takuar zjarrfikësit dhe policët, por nuk shkoi në takimin me banorët, të cilët e akuzuan ashpër.

Në një editorial therës, e përditshmja ”The Guardian” e krahason këtë hap të gabuar me atë të George W. Bush gjatë stuhisë ”Katrina”.

Një foto tregon presidentin amerikan duke parë zonën e shkatërruar nga dritarja e avionit, duke u bërë kështu simboli i një administrimi të shkëputur nga realiteti.

“Theresa May ka pasur frikë të takojë të mbijetuarit e kullës ‘Grenfell’. Ajo mori fund”, konfirmon e përditshmja.

“Kjo që ndodhi është e tmerrshme”, theksoi ajo.

“Shumë njerëz kanë humbur jetën, të tjerë gjithçka që kishin”, shtoi ajo duke premtuar se do të zbardhen shkaqet e këtij zjarri.

Ajo njoftoi gjithashtu zhbllokimin e pesë milionë stërlinave (5,7 milionë euro) për të mbijetuarit dhe premtoi një ristrehim për të gjithë të pastrehët brenda tre javëve.

Edhe mbreteresha Elizabeth II shkoi dje në vendin e dramës duke përshëndetur forcat e shpëtimit dhe banorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb