Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 24 maj. Në takim do të jenë edhe diplomatë të lartë të BE.

Qëllimi i takimit, siç kumtohet nga kabineti i Federica Mogherinit, është që të bisedohet për mënyrën e tejkalimit të tensioneve në rritje në disa vende të Ballkanit Perëndimor si dhe përparimi i bashkëpunimit rajonal dhe afrimi me Bashkimin Evropian. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Maja Kocijançiç ka bërë me dije se “janë ftuar kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të bisedojnë së bashku në një darkë joformale për zhvillimet në rajon dhe hapat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes”.

Liderët e gjashtë vendeve
Në këtë takim janë ftuar liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Zyrtarisht është thënë se do të “diskutohet situata në rajon”, por burime diplomatike thonë se më së shumti do të bisedohet për tensionet e fundit në Maqedoni, e cila ende nuk ka krijuar qeverinë e re, si dhe në Kosovë, ku më 11 qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kocijançiç thotë se takimi do të jetë një shans i mirë që Federica Mogherini të informohet nga dora e parë për përparimet që janë bërë në rajon pas vizitës së saj në mars të këtij viti.

Kush e përfaqëson Kosovën dhe Maqedoninë?
Deri tani nuk është konfirmuar nëse Maqedoninë do ta përfaqësojë Nikola Gruevski apo i mandatuari i qeverisë së re maqedonase Zoran Zaev si dhe kryeministri i Kosovës në largim Isa Mustafa, apo do të vijnë politikanë të tjerë./DW/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb