Përmes një letre dërguar Enver Hoxhës në vitin 1982, mjeshtri i Cirkut, Telat Agolli, tregon se si e arrestuan dhe se si e futi në kurth Feçor Shehu. Një nga emrat më të rëndësishëm të cirkut shqiptar kreu 6 vjet burg. Ai u akuzua si spiun i UDB-së dhe për agjitacion e propagandë. Agolli i tregon diktatorit se përse u thye në hetuesi, ku e mbajnë për 13 muaj, si i nxorën dëshmitarë të rremë dhe çfarë kërkonte pas kryerjes së dënimit. Edhe pse kreu 6 vjet burg, Agolli i shprehet Enver Hoxhës se ai vazhdon të jetë një bir besnik i Partisë. Për më shumë po vijojmë letrën, nisur diktatorit.

NGA DASHNOR KALOÇI
“MË AKUZONIN PËR SPIUNAZH SE KISHA DHËNË INFORMATA PËR BALLUKUN”

Akuza e spiunazhit ishte trilluar aq keq, pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë, saqë gjyqi e hodhi poshtë atë menjëherë si të pabazuar. Se sa qesharake ishte ajo po them vetëm kaq. Në akuza ndër të tjera pretendohej se unë kisha bërë spiunazh, duke i dhënë informata mbi tradhtinë e B. Ballukut, të quajturit Gafur Bllata, nga Dibra e Madhe, kur ky kishte ardhur për vizitë në Shqipëri. Por gjatë gjykimit u provua se unë me të lartpërmendurin kisha pasur në Tiranë vetëm një takim të rastit, edhe në praninë e një të treti në muajin qershor të 1974.

Si ishte e mundur që unë t’i jepja atij informata mbi tradhtinë e B. Ballukut në qershor, kur dihet se kjo gjë u mor vesh vetëm pas Plenumit të korrikut 1974? Në vend që të lirohesha pas hedhjes poshtë të spiunazhit, prokurori kërkoi të gjykohesha për agjitacion dhe propagandë. Meqenëse për këtë krim të ri nuk kishte prova, gjykata e ktheu çështjen për plotësim provash. Pas kësaj, hetuesia u bë për mua një ferr krejt i padurueshëm. Koço Josifi u tërbua fare. Më thoshte haptazi: “Ne pa të dënuar ty nuk të lëmë, madje edhe në burg do të të dënojmë që të ngordhësh atje si qen!”. Ime shoqe më sillte shpesh ushqime, por ky nuk m’i jepte sepse më kishte vendosur një regjim të rreptë urie që më katandisi me humbjen e 20 kg të tjera në peshë.

“MË NXORËN DËSHMITARË TË RREMË EDHE NGA CIRKU”
Materialet e hetuesisë për krimin e dytë që po më kurdisej u përgatitën, duke mbledhur nga kolektivi im disa dëshmitarë akuze me presion dhe disa me të cilët unë isha grindur për arsye pune, kur isha përgjegjës artistik i Cirkut. Në të vërtetë, unë me këta kisha biseduar në prizmin kritik për aspekte të ndryshme të jetës në Jugosllavi. Por u morën vetëm fraza të shkëputura nga konteksti i bisedave, të cilat shtrembëronin përmbajtjen e tyre të vërtetë.

Megjithatë, edhe ashtu siç u paraqitën në gjyq, këto ishin konstatime qesharake të pamjaftueshme, qoftë edhe për një propagandë formale dhe aspak të padëmshme (Ja p.sh., sipas asaj që u tha në hetuesi e në gjyq kundër meje se si e paskam bërë unë agjitacionin, një dëshmitar deponoi se Telati më tha se në Jugosllavi artistët paguheshin shumë, por nuk tha se në këtë rast unë i thashë atij se prandaj edhe janë borgjezuar ata). Një tjetër deklaroi se Telati më tha se atje qumështin e shpërndanin me shishe nëpër shtëpi, por nuk tha se unë i kisha deklaruar se jo të gjithë blinin qumësht, pasi kushtonte katër herë më shumë se këtu.

Dy dëshmitarë të kapur në flagrancë për imoralitet dhe të përjashtuar nga Cirku, deponuan se Telati na ka thënë se në Jugosllavi kërcenin pa të mbathura. Një tjetër u ankua se unë gjoja e kisha këshilluar ta fejonte vajzën me një jugosllav, kurse ky “jugosllavi” në realitet ishte një rom nga Ohri, i cili i kishte vajtur për vizitë vetë dëshmitarit dhe me këtë rast i kishte propozuar t’i merrte të bijën për të birin etj. Për t’i hedhur poshtë këto dhe për të vërtetuar se çfarë qëndrimi kisha mbajtur unë në Jugosllavi dhe pas kthimit kërkova gjatë gjykimit të dytë, i cili u bë pas dy muajsh të tjerë, të pyeteshin 10 dëshmitarë që ishin njerëz seriozë e të njohur.

“PROFESOR ZEJNULLA BALLANCA MË MBROJTI NË GJYQ”
Gjykata thirri vetëm njërin prej tyre, Zejnulla Ballancën, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Në dëshminë e tij, e cila është regjistruar fjalë për fjalë në proçesverbalin e seancës gjyqësore, midis shumë të tjerave ai tha: “Këtë që po dëshmoj ua kam thënë dy tre vjet përpara shumë vetave. Kur kam qenë për leksione në Kosovë më kanë ardhur disa të rinj nga Dibra dhe më thanë se kur Telat Agolli kishte vajtur në këtë qytet kishte pasur një grindje të bujshme me përgjegjësin e seksionit politik të UDB-së, Edip Markun.

Ky i veshur civil dhe pak i pirë e kishte provokuar Telatin që po rrinte në klub me disa të njohur të tij. Telati e kishte kuptuar se cili ishte Edipi, kishte heshtur në fillim, por ky i qe çirrur atij se ti je këlysh i Enver Hoxhës, Telati e kishte kapur për fyti e kishte ngritur në hava si leckë dhe i ishte përgjigjur se ti mor i poshtër, je këlysh i Titos, ndërsa unë jam bir i Enver Hoxhës. Pas kësaj Telatin e kishin larguar nga Dibra të vetët dhe e kishin nisur menjëherë për në Shqipëri. Ky gjest i Telatit kishte bërë përshtypje shumë të madhe dhe e kishte entuziazmuar pa masë rininë dibrane, e cila e urren tradhtarin Edip Marku. Kërkoj ndjesë shoku Enver që po e përmend përpara jush këtë dëshmi.
E bëj këtë jo për t’u mburrur sepse unë e bëra atë që do të bënte çdo shqiptar i vërtetë për të mbrojtur emrin e udhëheqësit të tij, por për të vënë në dukje një gjë tjetër. Kjo dëshmi edhe juridikisht provonte të kundërtën e asaj për të cilën unë akuzohesha. Ajo provonte se duke bërë detyrën time dhe duke ia thyer turinjtë një udb-ashi të qelbur, unë kisha bërë vepër konkrete agjitacion për Partinë dhe udhëheqësin tim të dashur.

“BËRA 6 VJET BURG, POR S’E HUMBA KURRË BESIMIN TE PARTIA”
Në kushte normale, sidomos pasi hodhi poshtë si të rreme akuzën e spiunazhit kundër meje, gjykata duhej ta merrte parasysh këtë fakt të provuar e jo të më dënonte për agjitacion kundër pushtetit tim të bërë me llafe boshe të trilluara e të paqena, vetëm sepse dënimin tim e kërkonte me këmbëngulje Feçor Shehu. Me gjithë padrejtësitë e mëdha të më- sipërme që m’u bënë, dua t’ju siguroj për një gjë shoku Enver. Unë vuajta 6 vjet privim lirie, nga të cilat 13 muaj në qelinë e izolimit të hetuesisë, por gjatë gjithë këtyre viteve asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë, e asnjë sekondë nuk e humba besimin te Partia, nuk e kam ndjerë veten as armik të Partisë dhe as të armiqësuar me partinë time, pasi një gjë e tillë ishte dhe është e paimagjinueshme për mua. Përkundrazi, parulla ime “Unë jam bir i Partisë dhe Partia do të ma japë një ditë të drejtën që më takon”. Kjo parullë më frymëzonte në repart ku vuaja dënimin, kur punoja si minator nën tokë, ta realizoja normën për ditë 300%.

Ajo më shtynte që unë me ndërgjegje të plotë të bëhesha krah i djathtë i komandës së repartit, për të mbajtur afër dhe për t’i edukuar me fjalën e Partisë me estradën që organizova në repart dhe me forma të tjera, elementët e penduar që mund të riedukoheshin. Ajo pastaj, më jepte forcë që unë t’i demaskoja e t’i shpartalloja, duke u ballafaquar me ta burrërisht, elementët armiq të pandreqshëm, megjithëse ata më kërcënonin se do të më vrisnin me hekur dhe s’do të më linin të dilja i gjallë nga burgu.

“JU LUTEM SHOKU ENVER, TË RISHIKOHET ÇËSHTJA E PROÇESIT TIM”
Po të pyesni shoku Enver shokët e Komandës së Spaçit kanë për t’ju thënë patjetër se Telat Agolli ka jetuar gjithmonë me Partinë dhe për Partinë. Kjo është shoku Enver historia e çështjes sime, historia e njeriut të cilin dikur e ka duartrokitur gjithë Shqipëria e bëri “Artist të Popullit”, Partia dhe të cilin e diskredituan dhe e persekutuan pa mëshirë armiqtë e saj. Tani që ju më falët lirinë, unë i jam mirënjohës Partisë përjetë pa asnjë pretendim për çështje pune, rroge, titulli, ose për ndonjë përfitim tjetër. Ju lutem shoku Enver vetëm për një gjë të urdhëroni rishikimin e proçesit tim gjyqësor në rrugën e drejtë të vijës së Partisë e të ligjshmërisë socialiste. Marr guximin ta kërkoj këtë gjë, përveç të tjerash, edhe për arsyen që vijon. Kam pasur shoku Enver një nënë burrneshë si të gjitha nënat e ndershme shqiptare. Më kishte djalë të vetëm dhe dritën e syve të saj. Mua gjigantin e Cirkut vazhdonte të më thërriste me përkëdheli sikur të isha ende fëmijë “Lati im i vogël”. Kur më arrestuan dhe më njollosën në opinion vulën e turpshme të tradhtarit e të agjentit, në fillim nuk besoi dhe u përpoq të lutej për sqarimin e pozitës sime.

Më tregojnë se u bind në fajësinë time duke thënë se “Partia pa faj nuk të dënon” dhe më mallkoi. Nuk erdhi as edhe një herë të më shihte në burg. Nga turpi dhe pikëllimi i madh që i doli tradhtar djali i vetëm, u sëmur nga kanceri dhe vdiq. Qëkurse kam dalë nga burgu i falur, por jo i pafajshëm, nuk marr dot guximin t’i shkoj në varreza e ta vizitoj. Më jepni mundësi shoku Enver të më hiqet njolla e turpit të pamerituar, t’i bie mbi varr sime mëje, t’i kërkoj ndjesë për të keqen e madhe që i shkaktova e t’i them: “Nënë, falmë, falmë, për të gjitha, jo unë, por ata që ma nxinë jetën mua, dhe ta shkurtuan ty, ata janë tradhtarët e vërtetë të Popullit e të Partisë. Që të mund të verifikohet me kohë saktësia e përmbajtjes së kësaj letre, dy javë më parë, me anën e Drejtorisë së Brëndshme të Tiranës, i kam dërguar një letër të këtillë me hollësi më të mëdha edhe shokut Hekuran Isai. Si gjithnjë me bindje të patundur në drejtësinë e pagabueshme të Partisë mbetem në pritje të marrjes parasysh të lutjes sime.
Përshëndetje revolucionare
Telat Agolli
Tiranë 12.12.1982./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: