BRUKSEL– Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, dhe ekipi i saj janë duke vëzhguar nga afër zhvillimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës në ditët e fundit, në theks të veçantë ngjarjen e së shtunës. Kjo u theksua në komunikatën e zyrës së kreut të diplomacisë të BE-së.

“BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët për ngjarjet e së shtunës. Përfaqësuesi i Lartë ka folur tashmë me kryeministrin Vuçiç,” ka thënë për “Tanjug” zëdhënësja Maja Koçijançiç.

Koçijançiç në një deklaratë me shkrim, ka thënë tha se BE-ja i bën thirrje të dyja palëve për të treguar përmbajtje dhe maturi, si dhe t’i kthehen çështjes së dialogut.

“Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me interes të përbashkët”, ka thënë Maja Koçijançiç.

Një ditë më parë autoritetet në Kosovë nuk kanë lejuar hyrjen në territorin e saj të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin Kosova është Serbi në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.

Treni ishte nisur me gjithë protestën e Prishtinës e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb