Nga Sinan Cem Baş

“Jini elastikë, shpërndahuni në të gjithë kapilarët. Pa e vënë re askush praninë tuaj, marshoni përpara në kapilarët e sistemit deri sa të mbërrini në të gjitha qendrat e pushtetit… Duhet të prisnin derisa të jeni të gjithë dhe derisa kushtet të jenë të përshtatshme. Veçanërisht gjithmonë duhet të jeni shumë përpara në frontin kundërshtar përsa i përket marrjes së informacionit.”

Këto fjalë të shprehuara në një mbledhje të fshehtë i përkasin Fetullah Gylenit, lider i Organizatës Terroriste Fetoiste (FETO) dhe që vazhdon të jetojë në Pensilvani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ekspertët e terrorizmit pranohet se tiparet kryesore që karakterizojnë FETO-n janë sigurimi i burimeve njerëzore nga institucionet arsimore që administron, fshehtësia, obskurantizmi, lidhjet e rrepta të hierarkisë, heshtja e plotë, organizimi sipas celulave, pseudonimet, përdorimi i programit sekret të komunikimit i quajtur Bylock, maskimi i veprimtarisë me institucionet arsimore.

FETO ka si objektiv të ndërtojë një rend shtetëror të mbështetur në oligarkinë e një bashkësie totalitare dhe shndërrimi i saj në fuqi aktive politike dhe ekonomike në planin ndërkombëtar. Para një viti, natën e 15 Korrikut 2016, FETO nëpërmjet pasuesve të saj me uniformë, përfshirë edhe gjeneralë dhe admiralë, të cilën për shumë vite dhe fshehtësisht kishin ngritur çerdhet e tyre në gjirin e Forcave të Armatosura të Turqisë, ndërmorën një tentativë për grusht shteti për të eliminuar Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Turqisë, si dhe për të ndryshuar rendin kushtetues.

Gjatë tentativës për grusht shteti militantët e FETO-s bllokuan me tanke dhe mjete të blinduara dy ura që lidhin dy brigjet e Stambollit dhe shtinë në dorë me anë të tankeve aeroportin e Stambollit, një ndër aeroportet më të rëndësishëm të botës. Duke përdorur tanke, mjetë të blinduara dhe armatim të rëndë, FETO u mundua të marrë në zotërim shumë objekte strategjike duke filluar nga Bashkia e Madhe e Stambollit deri në organe të shtypit, nga komisariate të policisë deri në bulevarde kryesore. Deputetët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlament, të pozitës dhe të opozitës, për t’i dalë zot demokracisë dhe Parlamentit, u mblodhën në sallën e mbledhjeve plenare të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (Parlamentit). Ndërkaq militantët e FETO-s me avionë dhe helikopterë ushtarakë bombarduan disa herë mjedisin ku ndodhet ndërtesa kryesore e Parlamentit, Pallatin Presidencial dhe Qendrën e Trupave Speciale të Policisë.

Snajperë në mënyrë të pamëshirshme dhe rastësore hapën zjarr ndaj popullit turk të parmatosur dhe të pambrojtur, i cili duke mos dashur që shtetin t’ia dorëzonte kontrollit të tradhtarëve fetoistë dhe për t’i dalë zot demokracisë, ishte grumbulluar përpara ndërtesave publike, në ura, sheshe dhe bulevarde. Gjatë sulmeve të pabesa 250 shtetas turq ranë dëshmorë dhe mijëra të tjerë u plagosën.

Ndërkaq pothuajse të gjitha organet e medias, ndonëse ishin nën presionin serioz të militantëve fetoistë puçistë, duke transmetuar programe kundër tentativës për grusht shteti, i dëshmuan ngjarjet dhe mundësuan që ato t’i përcilleshin drejtpërdrejt opinionit publik botëror.

Grushti i shtetit u pengua sepse ndeshi në një rezistencë të gjerë dhe të fuqishme. Brenda një kohe të shkurtër u ndaluan shumë ushtarakë, punonjës policie dhe pjesëtarë të gjyqësorit, të cilët u vlerësuan si anëtarë të FETO-s. Në dëshmitë e tyre ata kanë theksuar qartësisht se urdhri për grusht shteti ishte dhënë nga Fetullah Gylen, banues në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se veprimet e tyre i kishin kryer sipas sistemit komandues brenda hierarkisë të Organizatës Terroriste Fetoiste.

Për shembull, gjeneral brigade Hakan Evrim, anëtar i FETO-s, i cili natën e grushtit të shtetit mbajti rob shefin e Shtabit të Përgjithshëm Hulusi Akar, i tha atij: “Të organizojmë një bisedë mes jush dhe liderit tonë të bindjeve, Gylen”. Gjithashtu Hakan Evrim në dëshminë para gjykatës deklaroi se “kishte 30 vjet që ishte pasues i Fetullah Gylenit”.

Aktualisht ndaj të dyshuarve po vazhdojnë 78 procese gjyqësorë në 23 rrethe. Prokurorët kanë deklaruar me mijëra prova se FETO ishte pas tentativës për grusht shteti.

Lideri i FETO-s Fetullah Gylen në një regjistrim në video të vitit 1999 ka shprehur hapur se organizata ka si objektiv “të zotërojë strukturat gjyqësore, civile, administrative të shtetit dhe institucionet e sigurisë dhe në të njëjtën kohë të shndërrohet në një një fuqi të madhe aktive politike dhe ekonomike në nivel ndërkombëtar”.

Kjo organizatë obskurantiste, e cila ka edhe dimensionin ndërkombëtar dhe që veçanërisht pas vitit 1990 është hapur drejt botës, përfshirë edhe Shqipërinë, ka ngritur struktura të ngjashme si ato në Turqi edhe në afërsisht 160 vende, para se gjithash në arsim dhe në tregti. Në këtë mënyrë është e dukshme infrastruktura e saj financiare dhe organizative edhe në nivel ndërkombëtar.

FETO ka realizuar veprimtari të ndryshme për rininë nëpërmjet shkollave, universiteteve, konvikteve private, shtëpive të nxënësve dhe kampeve verore. Është propaganduar organizata duke nxjerrë në pah histori personale suksesi, një pjesë të të cilave gjatë konkurset të organizuara nga vetë ajo. Me anë të vizitave familjare është zgjeruar masa e simpatizantëve dhe institucionet e tyre arsimore kanë gjetur popullaritet mes njerëzve. Në këtë mënyrë është siguruar pjesa më e rëndësishme e burimeve njerëzore të organizatës.

Kjo organizatë, që është objekt i hetimeve dhe gjykimeve për shumë vepra penale si “krijim dhe drejtim të organizatës terroriste të armatosur (ngjarjet e 15 korrikut 2016 treguan qartë se organizata mund të përdorë kundër popullit pa mëshirë çdo lloj armatimi të rëndë nëse do ta gjykojë të nevojshëm), tentativë për eliminim të Qeverisë, falsifikim në dokumente zyrtare, sajim të veprave penale, mashtrim i cilësuar, cënim të privatësisë, borxhe, regjistrim i paligjshëm i informacioneve, pastrim parash”, bashkë me strukturat e saj institucionale janë një kërcënim për sigurinë kombëtare, janë një rrezik për çdo vend ku ato ndodhen, përfshirë Shqipërinë, për çdo individ dhe për çdo familje me të cilët kontaktojnë.

Në ato vende ku gjenden struktura dhe zgjatime të FETO-s është në interes të vetë këtyre vendeve që duke pasur parasysh zhvillimet në Turqi të marrin masat e nevojshme ndaj veprimtarive dhe burimeve financiare të organizatës.

* Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: