TIRANE- Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj në një intervistë për “Top Story” përforcon deklaratën e kryeministrit Rama se tërheqja e kandidatit nga zgjedhjet e 7 Majit u bë për shkak se kishin fakte konkrete për destabilizim.

Xhafaj pohoi se ka patur informacione për skenarë trazirash në Kavajë, por tha se vendimarrja për të mos zhvilluar zgjedhjet atje nuk ishte më shumë një vendim politik sesa për çështje sigurie.

“Vendimin lidhur me zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë i lidhur me një vendimarrje të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka qenë në krye të detyrës dhe në asnjë rast nuk ka deklaruar, apo nuk ka shprehur pamundësinë e saj për të siguruar zhvillimin normal të zgjedhjeve në Kavajë. Policia kishte marrë të gjitha masat për të kryer detyrat që i cakton Kodi Zgjedhor për rol mbështetës në proces dhe të ligjeve të tjera të vendit”, tha ai.

Xhafaj tha se situatës nuk i shërbente as thirrjet për konflikt të hapur në Kavajë nga drejtues të Partisë Demokratike.

“Sa i takon aspektit të funksioneve dhe të garancive që ofronte Policia e Shtetit, kam qenë i bindur që policia kishte të gjitha kapacitetet për të garantuar zgjedhjet në Kavajë dhe në gjithë territorin, ashtu si në 18 qershor”, u shpreh ai.

Ministri i Brendshëm tha se vendimi i marrë nga Kryeministri ishte një vendim politik në funksion të negociatave me Partinë Demokratike për zgjidhjen e krizës.

“Është një vendim politik i marrë nga Kryeministri në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend. Kryeministri me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje me PD. Kryeministri vendosi që zgjedhjet në Kavajë të mos zhvilloheshin duke tërhequr kandidatin e PS. E gjithë kjo ishte në funksion për t’u dhënë një mundësi negociatave, që për fat të keq nuk u shfrytëzuan, por u keqpërdorën nga drejtuesit e PD”, u shpreh ai.

Xhafaj tha se ka patur një ligjërim politik metone të ashpra dhe me thirrje për dhunë nga drejtuesit e PD dhe se ka patur organizime konkrete për realizimin e këtyre thirrjeve.

“Kemi patur të dhëna për disa organizime, grupe jashtë strukturave të PD, por nën ndikimin dhe organizimin e PD, që do të tentonin që të krijonin përplasje. Kemi patur sinjalizime për individë të caktuar dhe grupe të caktuara për të nxitur tensione në Kavajë, ku do të tentonin të intimidonin dhe të përplaseshin me njerëzit që do të votonin dhe për t’i përdorur më pas këto incidente si alibi për dështimin e negociatave”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Ai hodhi poshtë akuzat e kreut të Partisë Demokratike që tha se në Kavajë do të përplaseshin bandat rivale të Elvis Roshit për larje hesapesh mes tyre.

“Nuk kemi patur, as ne asnjë institucion tjetër të dhëna të tilla”, u shpreh ai.

Kreu i MB nuk mohoi letrën e policisë, të cilën Top Channel e disponon, ku flitet për mundësinë që në ditën e zgjedhjeve në Kavajë, nëse ato do të mbaheshin, ka skenarë për goditjen e dyqaneve me molotov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb