Lëkundjet e forta të tërmetit që u ndjenë sot në orën 12:31 në disa qytete të Shqipërisë, kanë bërë që banorët e Bulqizës t’i zërë paniku, duke qenë se dhe aty ishte epiqendra e tërmetit.

Nxënësit dhe banorët kanë dalë jashtë menjëherë duke lënë ndërtesat të alarmuar. Të sëmurët, si invalidë e të moshuar i kanë nxjerrë jashtë nga shtëpitë.

Në të gjithë metropolin shqiptar janë ndjerë lëkundje të forta, megjithëse ende nuk ka të dhëna zyrtare.

Sipas agjencisë CSEM, që regjistron tërmetet e fundit të rëna në botë, lëkundjet sizmike të forta u ndjenë 9 km në veri të Bulqizës, 40 km në verilindje të Tiranës dhe 24 km në jugperëndim të Peshkopisë, shkruan BalkanWeb.

Mësohet se lëkundja e parë është ndjerë në orën 02:17 të mëngjesit me magnitudë 2 ballë i shkallës Rihter. Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë rreth 10 km nga Ballshi.

I dyti ka rënë rreth 4 orë më pas, në 06:08 me epiqendër në fshatin Vinjoll të Burreli dhe magnidutë 2.2 ballë. Po kështu edhe 5 goditje të mëpasshme.

E treta ka rënë rreth orës 06:39 sërish 9 km në Juglindje të fshatit Vinjoll në Burrel me magnitudë 2.3 ballë.

“BalkanWeb” mëson se lëkundja e katërt ka rënë në orën 08:04, 6 km në Verilindje të Bulqizës me thellësi rreth 19 km dhe me magnitudë 2.5.

Tërmeti i pestë është ndjerë në orën 08:50, sërish në Vinjoll të Burrelit me magnidutë 2.3 dhe thellësi 1 km.

Tërmeti i gjashtë ka rënë në orën 10:16, 10 km në Veriperëndim të Bulqizës me magnitudë 2.9 ballë dhe thellësi 1 km.

Ndërsa i shtati ka rënë në orë 10:30 rreth 13 km në Veriperëndim të Bulqizës ose 39 km në Verilindje të Tiranës, më i fortë se të mëparshmit, me magnitudë 4.4 ballë i shkallës Rihter dhe thellësi 2 km.

Tërmeti i tetë dhe më i fortë ka qenë ai i orës 12:31 që është ndjerë në disa qytete të Shqipërisë.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: