Koreja e Jugut ka propozuar bisedime ushtarake me Korenë e Veriut pas disa javësh tension në rritje për shkak të testeve të raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Penianit. Nëse këto bisedime zhvillohen do të jenë bisedimet e para të nivelit të lartë që prej vitit 2015.

Një zyrtar i lartë i Koresë së Jugut ka bërë të ditur se bisedimet kanë qëllim të ndalojnë të gjitha aktivitetet armiqësore që ndikojnë në rritjen e tensionit ushtarak në kufirin mes dy Koreve.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in ka dhënë sinjale edhe më parë se dëshiron të ketë një marrëdhënie më të afërt me Korenë e Veriut. Sakaq, kjo e fundit nuk i është përgjigjur ende propozimit të Koresë së Jugut për bisedime ushtarake.

Gjatë një deklarate në Berlin, Moon tha se dialogu me Korenë e Veriut është më i nevojshëm se asnjëherë tjetër dhe bëri thirrje që të nënshkruhet një marrëveshje paqeje mes dy vendeve. Ai theksoi se një dialog i tillë është shumë i rëndësishëm për ata që duan t’i japin fund programit bërthamor të Penianit.

Megjithatë, testet e shpeshta raketore të Koresë së Veriut, duke përfshirë këtu edhe testin e raketës balistike ndërkontinentale shkelin rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe kanë alarmuar fqinjët e saj dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb