Ofertat fillestare të monedhave (ICO), një mjet i mbledhjes së fondeve për kompanitë e teknologjisë blockchain (teknologjia informatike që suporton zgjidhjet e gjithë ‘krypto-monedhave”), kanë kapur aq shumë vëmendje se edhe bashkë-themeluesi i rrjetit ethereum, ku shumë prej këtyre monedhave dixhitale janë ndërtuar, thotë se është koha që gjërat të qetësohen në një farë mënyre, shkruan Bloomberg.

“Njerëzit thonë se ICO-të janë fantastike për ethereum, mjaft të shikoni çmimin, por kjo është një bombë me sahat”, tha Charles Hoskinson, i cili ndihmoi në zhvillimin e ethereum, në një intervistë. “Ka një mbi- kriptizim të gjërave, ndërkohë që kompanitë po emetojnë kryptomonedha kur të njëjtat objektiva mund të arrihen me sistemet ekzistuese. Njerëzit janë verbuar nga paratë e shpejta dhe të lehta “.

Etherum është një lloj kriptomonedhe (monedhe virtuale) e ngjashme, por jo tërësisht, me bitcoin, për të cilin së fundmi janë shtuar debatet në Shqipëri për shkak të rritjes së përdorimit dhe deklarimit të një kompanie nga Kosova, Albvision, se pritet të vendosë një ATM për bitcoin së shpejti edhe në Shqipëri. Bitcoin është monedha virtuale më e madhe në botë sipas kapitalizimit të tregut dhe etherium është e dyta. Edhe për etherium ka tregtues në Shqipëri (shënim i Monitor).

Bloomberg pohon se firmat kanë siguruar 1.3 miliardë dollarë këtë vit në shitjet dixhitale, duke tejkaluar financimin e kapitaleve të kompanive blockchain dhe më shumë se gjashtëfish nga totali i mbledhur vitin e kaluar, sipas Research Autonomous. Ether, monedha dixhitale e lidhur me sistemin ethereum, u rrit nga rreth 8 dollarë pas ICO-së së saj në fillim të vitit në pak nën 400 dollarë muajin e kaluar. Që nga ajo kohë ka rënë me rreth 50 për qind.

Hoskinson, i cili drejton firmën kërkimore teknologjike IOHK, është pjesë e një kori në rritje të ekspertëve të fushës, që shprehin shqetësim rreth rritjes së shpejtë të çmimeve të kriptomonedhave dhe të fluksit të shitjeve të monedhave dixhitale, që kanë mbledhur miliona dollarë në pak minuta. Rregullimi është rreziku më i madh për këtë sektor, pasi ka të ngjarë që Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i SHBA-ve, i cili ka qenë vëzhgues deri tani, do të thotë se monedhat dixhitale janë letra me vlerë, tha ai.

Startupet që mbledhin para përmes ICO-ve zakonisht anashkalojnë masat mbrojtëse të kërkuara në shitjet tradicionale të letrave me vlerë, si psh sigurinë lidhur me investitorët e akredituar dhe verifikimi i burimit të fondeve. Kjo mund të çojë në ngritje padish në të ardhmen, pasi blerësit e monedhave dixhitale mund të padisin emetuesin duke pretenduar se nuk i dinin rreziqet për blerjen e këtyre aseteve, tha Hoskinson.

Hoskinson u bashkua me ekipin themelues të ethereumit në fund të vitit 2013 dhe u largua në qershor të vitit 2014, pasi ai i qëndroi idesë për një organizatë fitimprurëse, ndërsa të tjerët në ekipin e udhëhequr nga Vitalik Buterin donin ta mbanin atë jo-fitimprurëse.

Shefi Ekzekutiv i Ripple, Brad Garlinghouse, ka një pikëpamje të ngjashme në lidhje me rreziqet rregullatore. Ekipet që listojnë kompanitë guackë (offshore) dhe shitjen e monedhave të tyre për investitorët jashtë SHBA janë naivë të mendojnë se nuk ka ligje për mbrojtjen e investitorëve kudo tjetër, dhe gjithashtu ai pret që SEC ka të ngjarë të thotë që kriptomonedhat janë letra me vlerë, tha ai në një intervistë javën e kaluar.

Ripple është një kompani e transferimit të parave bazuar në teknologjinë blockchain, e cila është e lidhur me kriptomonedhën e tretë më të madhe nga vlera e tregut.

“ICO-s që veprojnë në Perëndimin e Egër të financave nuk janë të qëndrueshme”, tha Garlinghouse. “Në rast se ecën si rosë dhe gagarin si rosë, SEC do të thotë se është rosë.”

Përveç shqetësimit në rritje për një flluskë ICO dhe shqetësime rregullatore, ka probleme me konvertimin e monedhave në cash për shkak të rritjes së lartë të transaksioneve, duke kontribuar në rënien e çmimit të etherit. Edhe shqetësimi për ndarjen potenciale të bitcoin në dysh po ashtu ka rritur nervozizmin në të gjithë botën crypto, shkruan Bloomberg. /Monitor/

ICO-by-category

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: