TIRANE- Për 36 punonjës të administratës fiskale, Ministria e Finacave ka urdhëruar nisjen e procedimit disiplinor, për shkak se sipas këtij institucioni nuk kanë zbatuar udhëzimet për të qenë në krye të detyrës gjatë fushatës elektorale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, këta punonjës të Drejtorivë Rajonale të Tatimeve në Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, nuk kanë justifikuar mosprezencën e tyre në punë.

NJOFTIMI I PLOTE

Ministria e Financave, pas inspektimeve intensive, konstaton me shqetësim se rregullat e parashikuara në Urdhërin e Monitorimit nuk po respektohen nga disa institucione të varësisë në Tiranë dhe rrethe.

Më konkretisht, grupeve të inspektimit nuk u është justifikuar mosprezenca në punë e dhjetëra punonjësve në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve në Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë. Po kështu mosprezenca të pajustifikuara janë evidentuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Shërbimit për Tatimpaguesit në Tiranë, Laboratorin Doganor, si dhe në FAF Sha.

Në total janë 36 punonjës të administratës fiskale ndaj të cilëve të nisë menjëherë procedimi disiplinor i përshkallëzuar edhe nga institucionet e lartpërmendura për shkak të thyerjes së urdhërit të monitorimit dhe VKM 473, duke cënuar kështu standartin zgjedhor dhe mbajtjen larg të administratës nga keqpërdorimi politik.

Ministria e Financave u bën thirrje drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve në varësi që të zbatojnë me korrektësi udhëzimet e VKM nr 473, në të kundërt do të përballen me përgjegjësi ligjore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb