Tirana nuk ka vonuar për të gjetur zëvendësuesin e Mirel Josës që dje i dha fund me konsensus marrëveshjes me klubin. Drejtimin e bardhebluve pritet t’a marrë një emër i njohur i futbollit të luajtur, por që nuk ka të njëjtën spikatje në fushën e trajningut.

Hoze Marcelo Ferreira, i njohur ndyshe si Ze Maria, ish-futbollist i Interit dhe përfaqësues braziliane ka arritur një akord me drejtuesit e Tiranës dhe shumë shpejt pritet zyrtarizimi, raporton “super sport”.

Mësohet se kjo nuk është hera e parë që kryeqytetasit kanë tentuar të nënshkruajnë me Ze Marian. Edhe në fundin e vitit 2013, ai zhvilloi disa diskutime me drejtuesin e bardhebluve në atë periudhë, Ndriçim Babasi. Marrëveshja nuk u finalizua por me sa duket negociatat kanë rifilluar dhe tani braziliani pritet të ulet në pankinën e klubit kryeqytetas.

Ze Maria vetëm para dy ditësh ishte në kontratë me ekipin Gor Maghia në Kenia, por mesa duket dha dorëheqjen pasi kishte filluar negociatat me Tiranën dhe me gjasë ishte arritur një marrëveshje për t’u kthyer në Europë. Më parë në kontinentin e vjetër braziliani kishte provuar një eksperiencë në Rumani me Ceahlaul.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: