Tirana duhet të zbriste dje në fushë për të nisur përgatitjet në prag të ndeshjeve të turit të parë të Ligës së Europës. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe klubi bardheblu vijon të jetë në “ajër” sa i përket të ardhmes. Në fakt, gjatë së hënës mendohej një takim kokë më kokë mes presidentit Refik Halili dhe trajnerit Mirel Josa, për t’u dhënë fund dilemave.

Por, as ky takim nuk u zhvillua dhe pikëpyetjet shtohen akoma edhe më shumë. Josa është nën kontratë me bardheblutë edhe për një vit, por rënia e skuadrës nga Kategoria Superiore ka lënë të kuptohet se marrëveshja pritet të rishikohet. Që pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, Halili dhe Josa nuk kanë dhënë asnjë sinjal për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në Kategorinë e Parë.

Megjithatë, në mes është kontrata dhe zgjidhja e saj mbart me vete disa dilema. Burime të sigurta pranë trajnerit bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se ai është në pritje të telefonatës së Halilit, në mënyrë që të qartësojë gjërat. Tirana tashmë është edhe në luftë me kohën, pasi më 19 qershor hidhet shorti i Ligës së Europës dhe afati i fundit i federimit të lojtarëve për ndeshjet ndërkombëtare është deri më 21 qershor.

Me grupin të cunguar dhe largime të sigurta si Olsi Teqja e Afrim Taku, bardheblutë rrezikojnë që në ditët e ardhshme të kenë firo të tjera. I çuditshëm është fakti se edhe futbollistët nuk janë njoftuar për datën e startit të stërvitjes. Gjithçka në “ajër”, në një kohë që ka edhe lojtarë, të cilët kanë kontratë me Tiranën deri në përfundim të angazhimit në Europë dhe duhet të ndajnë gjërat.

Sipas të gjitha gjasave, emra si Asjon Daja dhe kapiteni Erando Karabeci pritet të largohen, pasi kanë marrë oferta konkrete nga ekipe të Superiores. Gjithsesi, kjo javë do të jetë vendimtare për bardheblutë, duke filluar nga trajneri Josa dhe deri te grupi i futbollistëve./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: