NGA: BRIKENA METAJ
Ende e tronditur dhe e trembur mbi eksperiencën e saj me “Balenën Blu”, 14-vjeçarja në Gjirokastër me iniciale A.C. rrëfen se nuk është e vetmja që luante lojën vdekjeprurëse.

Në një intervistë për “News24” e “BalkanWeb” 14-vjeçarja rrëfen se përveç saj, pre e lojës kishin rënë edhe dy shoqe të shkollës. Gjithçka nisi me një shkarkim të aplikacionit në playstore në telefonin e shoqes së saj, e më pas çdo ditë pas mësimit 14-vjeçarja plotësonte sfidat që i kërkoheshin nga tutori, komunikimi me të cilin kryhej në anglisht.

Vajza kërcënohej nga tutori e deklaron se kaloi në gjendje të rëndë psikologjike e kishte vetëm një rrugë, të vijonte lojën. Kjo e ka çuar në veprime të rrezikshme. Në duar 14-vjeçarja ka ende shenjat e gërvishtjeve që i ka bërë vetes në krah

Prindërit nuk arritën të kuptonin asgjë. Derisa vajza arriti në nivelin 33, kur tutori vendosi një tjetër sfidë të rrezikshme, e terrorizuar 14-vjeçarja vendosi t’ua rrëfente gjithçka shoqeve të saj. E frikësuar nga gjithë ajo që ndodhi vajza ka një apel për prindërit dhe bashkëmoshatarët e saj.

Si arrite të bëhesh pjesë e lojës?
Shoqja ime e kishte shkarkuar nga interneti në telefon dhe më tha të provonim të luanim njëherë këtë lojë meqë ishte folur kaq shumë. Dhe kështu nisi komunikimi im me “Balenën Blu”.

Ke telefonin tëndin?
Jo, nuk kam

Atëherë e luaje lojën nga telefoni i shoqes. Në cilin moment të ditës luaje?
Ne dilnim gjithmonë pas mësimit dhe luanim lojën.

E luaje bashkë me shoqen tënde?
Po, edhe ajo e luan këtë lojë.

Në dijeninë tënde ka fëmijë të tjerë që e luajnë këtë lojë?
Sigurisht që ka. Janë edhe dy shoqe të klasës sime që e luajnë lojën. Nuk e di nivelin ku ato kanë arritur, por ato kanë nisur të luajnë pas meje. Unë arrita deri në nivelin 33 dhe ishin kuratorët ata që më kërkuan të bëhesha pjesë e lojës, pasi unë e kisha shkarkuar dhe kisha dhënë informacionet e mia personale.

Çfarë të kanë kërkuar të bëje?
Shumë veprime të rrezikshme.

Cilat kanë qenë kërkesat e lojës që i ke plotësuar?
Loja të kërkon të qëllosh veten me shpullë, të mos hash apo të pish për disa ditë, të dalësh natën jashtë apo të vizatosh balenën me një mjet të mprehtë.

Kur i bëje këto veprime të rrezikshme, si prerjet që ke në duar?
Kur dilja nga shkolla shkonim me shoqet në një vend që e kishim si tonin dhe aty i bëja. Më pas i fotografoja ose bëja video, se loja të kërkon prova.

Përse pranove t’i bëje këto veprime të rrezikshme? Nuk t’u dukën të tilla që në momentin kur t’u kërkua t’i bëje?
Po, për unë u trembesha kërcënimeve të tyre. Ata më thoshin që do vimë të të vrasim familjen, prindërit, motrën. Është e vështirë të dalësh nga kjo lojë, pasi bie në depresion, mbyllesh në vetvete dhe je i detyruar të bësh ato që të kërkohen. Të duket sikur loja të kontrollon, të rrëmben.

Me se i ke bërë plagët ne duar?
Me gjilpërë.

Kishe dhimbje?
Po, shumë dhimbje. Me zor i duroja.

Përse vazhdoje t’i bëje edhe pasi kishe dhimbje?
Është loja ajo që të detyron të vazhdosh, madje pa i treguar askujt për ato që bën. Unë e bëja gjithçka fshehtas nga prindërit dhe shokët. Të gjithë e kishin vënë re që kisha ndryshuar sjellje, por nuk më kishin kuptuar që isha pjesë e lojës. Kjo ndikoi edhe në marrëdhënien time me shokët e shoqet e klasës.

Çfarë duhet të bëje në nivelin 33, ku ti kishe arritur?
Në këtë nivel m’u kërkua të pres damarët. Unë tentova, por nuk arrita dot. Ky ka qenë edhe momenti kur unë u thashë disa shoqeve të klasës se luaja këtë lojë. Më pas ato lajmëruan mësuesen kujdestare dhe drejtorin e shkollës, të cilët bashkë me psikologen, më erdhën në ndihmë.

Apeli yt për bashkëmoshatarët?
Të mos e luajnë këtë lojë. Prindërit të kontrollojnë telefonat e fëmijëve që të mos e zbresin këtë aplikacion të rrezikshëm. Gjithçka flitet për këtë lojë është e vërtetë. Por ndonjëherë edhe kureshtja të shpie drejt vetëvrasjes. Kam lajmëruar gjithashtu edhe për shoqet e mia që aktualisht e luajnë këtë lojë, në mënyrë që t’u vinë edhe atyre në ndihmë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: