TIRANË- Pas akuzave për “kallëzim të rremë në bashkëpunim” bashkë me Durim Bamin e Mark Frrokun, deputeti “i fortë” i Shkodrës, Tom Doshi përballet me një tjetër akuzë në Prokurorinë e Përgjithshme, atë të “deklarimit të rremë të pasurisë”.

Vetë deputeti i kontaktuar nga BalkanWeb, e cilëson të qëllimshme këtë lëvizje, e cila sipas tij, bëhet vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit dhe për t’i prishur punë.

Sipas deputetit, Prokuroria e Përgjithshme ka pasur 2 vjet kohë për të shqyrtuar akuzat e ILDKPI, por e bën pikërisht në këto momente për të penguar kandidimin e tij. Doshi iu referua edhe kërkesës së prokurores Rovena Gashi tre javë më parë e cila, ka kërkuar që atij t’i ndalohet kandidimi në zgjedhje, me pretendimin se ishte në kushtet e ndalimit të funksionit, në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit.

“Kjo është një lëvizje e qëllimshme që bëhet para zgjedhjeve”,- ka deklaruar Doshi për BalkanWeb.

“Jam i gatshëm të dëshmoj se çdo qindarkë të pasurisë sime e kam vënë në mënyrë të rregullt”,- tha ai më tej.

Kujtojmë se deputeti i Shkodrës garon në këto zgjedhje nën siglën e Partisë Social Demokrate të Skënder Gjinushit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: