SHKODER- Deputeti Tom Doshi deklaroi një ditë më parë, se do të fitojë tre mandate deputetësh në Shkodër, dhe ato do të jenë në mbështetje të Edi Ramës. Por sot koordinatori i PS-së për Qarkun e Shkodrës, Ditmir Bushati i ka kthyer përgjigje.

Ai ka thënë gjatë një takimi me banorët në Vaun e Dejës se vota për Partinë Socialiste nuk ka pse ngatërrohet me thirrje që vijnë nga individë partizash.

“Me datën 25 ka vetëm një zgjedhje për ne dhe ky është Edi Rama me Partinë Socialiste, numrin dy. Ne nuk kemi nevojë as për mik, as për kandidatë të tjerë që dalin lart e poshtë nëpër televizion që thotë na i jepni votat ne se edhe ne do të mbështesim Edi Ramën”,- tha ai.

Duke mos ia përmendur emrin Doshit, Bushati tha se të gjithë ata që thonë se mbështesin Edi Ramën janë në një parti me të dhe s’kanë pse garojnë me forca të tjera.

“Por po të ishte puna kështu nuk do të ishim në parti të ndryshme, do të ishim të gjithë në të njëjtën parti. Nuk kemi nevojë as për me dëgju parti të tjera që vijnë me forma të tjera me penetru, edhe këtu, ne kemi parë në fund të ditës së çfarë kanë bërë. Bamirësit janë në fondacione bamirësie, kishat dhe xhamitë i ndërtojnë institucionet fetare. Unë kam përshtypjet se kjo zonë ka të drejtë për të zgjedhurit e tyre” ka thënë Bushati në Vaun e Dejës.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: