Genc Tomori, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, në një konferencë për shtyp pas shortit të “Europa League” që i vuri përballë me bullgarët e Botev Plovidov është shprehur se kundërshtarët janë një ekip i pranueshëm për kryeqytetasit dhe se me gjasë mund të kalohen.

Edhe pse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë nga dorëzimi i listët me lojtarët për sfidën në Europë, Tomori tregon se skuadra do të bëjë afrime të tjera cilësore në merkato.

Për kundërshtarin

“Sigurisht që të gjithë në short presin një kundërshtar të lehtë. Duke parë edhe koeficientin që ka besoj se bullgarët mund të konsiderohen një ekip i pranueshëm për ne.

Sigurisht nuk duhet të harrojmë që kampionati bullgar është një kampionat i forte, ndaj nuk duhet ta nënvlerësojmë, por as ta mbivlerësojmë, pasi sezonin e kaluar ne jemi përballur me ekipe edhe më të forta dhe kaluam deri tek faza e tretë.

Për momentin nuk kemi informacion të mjaftueshëm për ekipin e Plovdiv , por përgjatë kësaj periudhe do të marrim të gjithë informacionin e duhur. Në ndeshjen e parë në Tiranë do të mundohemi të mos pësojmë gol dhe të shënojmë , por gjithsesi ndeshja e kthimit në Bullgari do të jetë përcaktuese.”

Eksperienca në Kupat e Europës

“Padyshim në sezonin e kaluar u përballëm me skuadra mjaft të forta, por nuk duhet të harrojmë që dhe ekipet bullgare janë të forta. Sigurisht që pjesa më e madhe e ekipit është ruajtur ndaj edhe lojtarët tashmë kanë fituar përvojën e duhur për tu përballur në ndeshjet ndërkombëtare.

Ajo eksperiencë e fituar në sezonin e kaluar sigurisht do të na shërbej edhe në këtë sezon. Objektivi ynë primar është kualifikimi në turin e parë eleminator, më pas, sigurisht do tentojmë të synojmë kualifikimin edhe në turin pasardhës.”

Për merkaton

“Ne po presim deri në fund për të marrë ndonjë lojtar cilësor. Janë larguar 2-3 lojtare, dhe deri tani kemi afruar Progni dhe Kotobelli. Me organikën që kemi dhe me ndonjë afrim tjetër cilësor besoj se do kemi një ecuri të mirë në Kupën e Europës.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb