TIRANE- Jozefina Topalli, një nga zërat më kritikë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ka folur lidhur me mungesën e saj në takimin e organizuar një ditë më parë në Akademinë e Arteve nga grupi anti-Basha. Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, Jozefina Topalli thotë se ajo ka kërkuar dorëheqjen e Bashës nga PD, fill pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit.

Topalli thotë se demokratët e thjeshtë e kanë treguar qëndrimin e tyre ndaj Bashës që në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas saj, është përgjegjësia e Bashës që e çoi PD në këtë situatë.

“Jam në këtë frymë, kam qenë e do të jem. Nuk bie dakord me termin grupi anti-Basha se nuk është e tillë. Janë me mijëra anëtarë të PD, deputetë, ish-drejtues të PD të cilët kanë një thirrje, apel për një analizë. Ka ndodhur një gjë e madhe, një tërmet, nuk mund të bëj sikur nuk e kam parë, apo dëgjuar. Nuk mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit është diçka normale, është sharlatanizëm. Dhe kjo më pas vijon me shkelje të statutit.

Çdo përpjekje për të vendosur në shina statutore, për t’i thirrur ndërgjegjes, në mënyrë që PD të mos mbetet peng i një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik, është gjëja më normale që mund të mendohet. Unë kam patur një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme të Bashës pas humbjes së 25 qershorit. Ata që thonë që mos të japë dorëheqje, nuk e duan PD. Ata që kërkojnë dorëheqjen e njeriut që i futi thikën PD-së, ata e duan PD. Në fakt demokratët e kanë shkarkuar atë më 25 qershor”, tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit tha se gjatë kësaj periudhe ka patur komunikime me anëtarë e figura të tjera të PD.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: