* Organizata ndërronte kodet kundër përgjimit çdo javë

ITALI- 21 urdhër-arreste në veriun e Italisë dhe Shqipëri, sekuestrim pasurish me vlerë 10 milion euro dhe 1000 kg drogë. Blici i Guardia di Finanza çoi në sekuestrimin edhe të makinerive prerëse dhe dy rafinerive në provincat e Veronës dhe Trentos.

Këto janë rezultatet e para të një aksioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës i cili përfshiu mbi njëqind financierë të policisë tatimore të Venecias-Gico, me mbështetjen e Scico, dhe policisë shqiptare. Ndërkohë janë duke u ekzekutuar sekuestrot e pasurive në Shqipëri, në Veneto, Trentino Alto Adige, Emilia Romagna dhe Umbria, raporton rainews. Deri tani janë arrestuar 16 persona, ndërsa janë në kërkim edhe 5 të tjerë.

Organizata ishte e strukturuar në celula, në modelin e grupeve terroriste, në mënyrë që puna të vijonte edhe nëse arrestoheshin një pjesë e tyre. Kodet kundër përgjimeve ndryshoheshin çdo javë, nga ku mori indicie edhe emri i operacionit “Enigma”, makina e famshme për të deshifruar mesazhet e përdorur nga nazistët në luftën e dytë botërore.

Sipas policisë shqiptare, organizata i ka krerët në Shqipëri ndërsa ishte në gjendje të trafikonte deri në 1 ton heroinë në vit.

Hetimet e Guardia di finanza janë drejtuar nga prokuroria e Venecias- DDA dhe janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë dhe policinë shqiptare, me koordinimin e Drejtorisë Qendrore për shërbimet e anti-drogës dhe Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të policisë dhe Ministrisë së Brendshme.

DEKLARATA E POLICISË SË SHTETIT

Sot më datë 28 tetor 2015, në orët e para të mëngjesit është finalizuar me sukses operacioni ndërkombëtar “Enigma”.

Ky operacion është zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Prokurorinë Italiane të Venecias, Guardia di Financa dhe Zyrën Ndërlidhëse Interforcë në Tiranë si dhe me mbështetjen e Drejtorive të Policisë Vendore Tiranë dhe Durrës.

Hetimet kanë mundësuar identifikimin e një grupi kriminal transnacional të përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare të cilët vepronin në territorin Italian duke tregtuar sasi droge e duke investuar më pas përfitimet në sektorin turistik dhe hotelerisë. Burime nga Policia pohojnë se organizata drejtohej nga vëllezërit Altin dhe Emiljan Hajria, të cilët janë shpallur në kërkim.

TË ARRESTUAR:

1- Gentian MECOLLARI, 31 vjeç.
2- Klevis SENA, 26 vjeç
3- Kastriot RIZAJ, 34 vjeç;
4- Hajri BALLA 52 vjeç;
5- Algen BUSHI, 32 vjeç;
6- Martin SINANI, 32 vjeç;
7- Alket PLAKU, 38 vjeç;
8- Ermal DORDA, 30 vjeç;
9- Durim VISHKURTI, 35 vjeç;
10- Sokol COTA, 39 vjeç;
11- Ardit KURTI 32 vjeç;
12- Fisnik KUCI, 30 vjeç;
13- Shahin MECOLLARI, 28 vjeç;
14- Armando SHERKO, 29 vjeç;
15- Gerald HAXHIAJ, 28 vjeç;
16- Erion CULLHAJ 27 vjeç.

Hetimet kanë filluar në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhër arresti për personat përgjegjës të këtij grupi kriminal.

Vendimi është ekzekutuar në të njëjtën kohë si në territorin shqiptar ashtu dhe në territorin italian në bashkëpunim të ngushtë midis Autoriteteve Gjyqësore dhe Policisë së të dy vendeve, me koordinimin e policisë të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës, të Shërbimit Qëndror për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme si edhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza – Reparti i 2të.

Janë në vazhdim  kontrolle në Itali dhe në Shqipëri si dhe janë impenjuar forca të shumta policore nga të dy policitë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë.

Deri tani janë arrestuar 16 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë.

Lidhur me mënyrën e të vepruarit të grupit kriminal,

Droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve arrinte në Veneto dhe në Trentino Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin.

Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana.

Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri dhe ndërtohej si më poshtë:

– një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento;

– një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore;

– një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara (VR);

– një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave.

Struktura ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që atëherë kur një qelizë e vetme do të neutralizohej nga forcat e policisë, organizata do të vazhdonte të furnizonte tregun me lëndë narkotike dhe mbi të gjitha do të ishte shumë e vështirë të arrihej tek degëzimet vepruese.

Paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme.

Hetimet teknike kanë treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal, i cili përdorte për komunikimin në distancë, një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar. Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botrore.

Policia e Shtetit falënderon për bashkëpunimit e çmuar policinë italiane dhe autoritetet gjyqësore italiane dhe në veçanti Prokurorinë e Republikës së Venecias, Drejtorinë Qendrore për Shërbimet Antidrogë, Shërbimin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit të Policisë Italiane dhe Zyrën Interforca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb