Ka dritë në fund të tunelit për Ermir Lenjanin. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare nga sot është një lojtar i lirë dhe mund t’i bashkohet cilësdo skuadër, pasi marrëveshja e tij me klubin e Ren në Francë ka përfunduar.

Për t’i gjetur një skuadër atij ka menduar Paolo Tramexani. Ish-asistenti i De Biazit në pankinën kuqezi njeh shumë mirë futbollistin, të cilin e “zbuloi” vetë kur luante te Vintertur e më pas St. Galen dhe insistoi që ai të bëhej pjesë e Kombëtares. Tashmë Tramexani drejton Sionin në Zvicër dhe u ka sugjeruar drejtuesve të klubit të afrojnë futbollistin kuqezi i cili është me parametër zero dhe mund t’i bashkohet çdo skuadre.

Lenjani ka kaluar tre sezone për t’u harruar në Francë, mes mosaktivizimit te Ren dhe atij me pikatore gjatë huazimit te Nanta. Prej 6 muajsh, ai ka qenë rregullisht në stërvitje me klubin e tij, por pa pasur mundësi të aktivizohej pasi tifozët e Ren kishin bërë të qartë se nuk e donin në ekip. Për më tepër, ata edhe i prishën makinën mesfushorit të përfaqësueses vetëm se kishte shkuar te Nanta që është rivali historik.

Por tashmë makthi ka marrë fund dhe Lenjani është i lirë të gjejë një ekip tjetër. Normalisht, për një futbollist që ka qëndruar në tribunë thuajse gjatë të gjithë vitit të fundit dhe ka luajtur më shumë me Kombëtaren sesa me klubin, do të ishte e pamundur që të gjente një alternativë cilësore. Në këtë pikë, oferta e Tramexanit kthehet në shpëtimtare për futbollistin i cili nuk do të ketë nevojë të fillojë gjithçka nga e para.

Te Sioni, ai jo vetëm do të ketë mundësi të shkojë në një klub ku mund të aktivizohet menjëherë rregullisht, por edhe të luajë në turne presitgjioz siç është Liga e Europës./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: