TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për situatën në Maqedoni duke iu kërkuar shqiptarëve atje të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Kreu i qeverisë, të cilin opozita e sotme në Maqedoni dhe Presidenti Ivanov e quan nxitës të platformës shqiptare tha në “Top Story” se Gruevski e pranoi platformën shqiptare dhe se refuzimi i saj tani që Ahmeti shkoi në koalicion me Zaev është hipokrizi.

“Një bllokim krejtësisht i pakuptueshëm në Maqedoni i një procesi politik. Ajo që dua të them me këmbëngulje është që shqiptarët në Maqedoni duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve. Duhet të jenë shembulli se si ne të gjithë si shqiptarë, nuk duam fundin, por stabilitetin dhe demokratizimin e Maqedonisë, ku shqiptarët të jenë me të drejta të barabarta me maqedonasit. Është vërtet dramatike. Është një moment ku realisht duhet qetësi”, tha Rama.

Ai shpjegoi edhe të ashtuquajturën platformë të Tiranës.
“Me vjen keq që u ngrit një strategji dritshkurtër politike duke vënë shqiptarët në shenjestër dhe duke bërë sebep platformën e ashtuquajtur të Tiranës. E vërteta është se Gruevski e ka pranuar platformën shqiptare dhe e refuzoi vetem kur Ahmeti arriti marreveshjen me Zaev”, theksoi kryeministri Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: