Paraqitja pozitive e Kombëtares në Francë 2016 i ka bërë shumë përshtypje edhe David Trezegue, ish-lojtarit të Juventusit që në vizitën e tij në Shqipëri ka vlerësuar shumë ekipin e drejtuar nga De Biazi.

“Shqipëria bëri një rrugëtim interesant në Europian. Pashë një ekip kompakt, mjaft të përkushtuar në fushë, me një trajner italian si De Biazi, të cilin e njoh mirë. Rruga juaj drejt Botërorit duket e komplikuar, por me motivim në të ardhmen Shqipëria i ka shanset të rritet për objektiva të tjera. Kundër Francës në Europian pashë një popull shumë të dashuruar pas futbollit dhe ky është tregues që mund t’ju ndihmojë”, u shpreh kampioni i botës në një takim me gazetarë në Tiranë të enjten mbrëma.

Ish-sulmuesi bardhezi ndau mendimin e tij edhe për ekipet gjysmëfinaliste të Ligës së Kampioneve: “Unë them që Reali po tregon se aktualisht është një hap mbi ekipet e tjera gjysmëfinaliste, falë formës që ka treguar në Champions, por edhe në kampionat, pa harruar që në fund të fundit ata janë kampionet në fuqi.

Por nga ana tjetër, Juventusi, qoftë në kohën kur luaja unë qoftë në ditët e sotme, e ka mundur Realin, kështu që deri në fund çdo gjë është e mundur. Ky Juventus në fakt është shumë i fortë, por edhe skuadra kur luaja unë në 2004 – 2005 me emra si Ibrahimoviç, Turam, Kanavaro, Vieira, kishte të njëjtat objektiva si kjo skuadër sot. Pra të fitonte gjithçka.

Ekipi aktual po bën gjithçka mirë. Nuk duhet të harrojmë që para dy vitesh luajtën në finale me Barcelonën. Në gjysmëfinale nuk do të jetë e lehte, por mendoj se bardhezinjtë i kanë të gjitha kartat e duhura për t’i shkuar deri në fund, çka e treguan edhe kundër Barcelonës ku i interpretuan të dyja ndeshjet mjaft mirë”.

Francezi me origjinë argjentinase, i cili shkëlqeu në hapat e para me Monakon para se të bënte historinë te Juventusi, vlerëson në maksimum skuadrën e Principatës dhe sidomos yllin Kilian Mbape. Sipas tij, dështimi i Barcelonës konfirmoi se cikli i disa lojtarëve mund të konsiderohet i mbyllur dhe skuadra duhet patjetër të përforcohet. Ai theksoi se Lionel Mesi është pa diskutim mbi Kristiano Ronaldon. Golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e Juves tha se pengu me i madh në karriere ishte penalltia e humbur në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Milanit në vitin 2003.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb