Evazioni fiskal është problemi i radhës në futbollin Anglez.

Pas zhdukjes së 6 mln eurove, drejtues të organeve tatimore në Britani, nëpërmjet një deklarate për mediat kanë vënë në pranga disa persona, që janë pjesë e futbollit profesionist anglez, ndërkohë që të përfshirë janë edhe 180 persona të tjerë, raporton “The Guardian”.

Në komunikatën e institucionit “HMRC” theksohet se janë bërë një sërë kërkimesh në verilindje dhe në juglindje të Londrës, e dyshimet janë ngritur edhe për klubet Newcastle dhe West Ham, ambientet e të cilëve iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm nga autoritetet e organeve fiskale në Britani.

Ndërkohë, në këtë skandal janë të përfshira edhe 12 skuadra të tjera në të gjithë Europën, por për momentin nuk ka emra. Flitet se në shënjestër të agjentëve është edhe skuadra e Çelsit, por nga kërkimet e djeshme nuk ka pasur asgjë të dyshimtë. Në fakt, do të hetohen transferimet që kanë bërë blutë e Londrës me këto skuadra të përfshira në mashtrimin e të ardhurave, raporton “The Mirror”.

Mësohet se në qendër të hetimeve, ndër të tjera kanë qenë bilancet financiare, ndërkohë që u kontrolluan edhe kompjuterët e telefonat celularë. Në këtë hetim, organet tatimore angleze kanë marrë ndihmë edhe nga autoritetet franceze, të cilat kanë bërë kontrollet e tyre në disa ambiente në vendin transalpin.

Kujtojmë se në dhejorin e 2016 futbolli në Angli u përfshi nga skandalet seksuale, ndërsa tani, brenda një kohe të shkurtër i duhet të përballet edhe me evazionin fiskal.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb