Bizneset shqiptare po interesohen gjithmonë e më shumë për alternativat që ju ofron shfrytëzimi i energjisë diellore në uljen e kostove. Bëhet fjalë për ato biznese që në objekt të aktivitetit të tyre nuk kanë aspak lidhje me sektorin energjetik, por që fatura e kripur i shoqëron çdo muaj. Elton Çekrezi, Drejtor Ekzekutiv i EuroElektra sh.p.k., në një intervistë për “Monitor”, shprehet se interesi ka ardhur në rritje si nga bizneset edhe nga individët.

Në kushtet kur ende nuk është përfunduar instalimi i “Net metering”, bizneset kanë zgjedhur të investojnë në impiante fotovoltaikë, që ju kanë përgjysmuar ose shmangur tërësisht koston e energjisë, por përtej dëshirës për rritje të fuqisë, do të duhet dhe pak kohë që kjo të finalizohet. Sipas planeve konkrete të biznesit, instalimeve konkrete dhe prodhimit në kohë reale, sipas Çekrezit bizneset marrin pas kthimin e investimit në një skenar optimist për 4.4 vjet dhe në një variant pesimist, 6 vjet. Caktimi i çmimit dhe instalimi i “Net metering” pritet që t’i japë shtysë të re investimeve në parqe fotovoltaikë, nga të cilët Shqipëria mund të përfitojë.

Ka një interes në rritje për shfrytëzimin e energjisë diellore dhe kjo reflektohet edhe te kërkesat që kanë biznese të caktuara për forma koncesioni ose parqe fotovoltaikë deri në 2 MW. A reflektohet një interes i tillë edhe pranë jush si kompani që jeni në kontakt direkt me investitorë potencialë?
Ka një rritje të interesit çdo vit dhe më shumë, por ajo që ka shërbyer si kufizuese ka qenë mungesa e kuadrit të plotë ligjor ose më saktë zbatimit të tij konkret. Nw rastet e parqeve fotovoltaikë është e nevojshme zbatimi i “Net metering” (matës specifik që arrin të masë energjinë në hyrje dhe dalje) që shfaqet në dy tipologji për autokonsum dhe prodhim për shitje nëpërmjet koncesioneve për një fuqi deri në 50 MW totale. Dalja e çmimit dhe plotësimi me “Net metering” mendoj se do t’i japë një shtysë të re këtij sektori që deri më tani është penalizuar nga vonesat dhe nuk do vonojë që të shohim hapa konkretë dhe investime konkrete.

Sa fizibël është për një biznes integrimi i kësaj teknologjie duke qenë se shumica e kërkesave për parqe deri në 2 MW janë nga biznese që ushtojnë aktivitet në një sektor tjetër jo të lidhur me energjinë? Çfarë avantazhesh ka?
Ne operojmë prej vitesh në treg dhe kjo na ka dhënë mundësinë që të shohim koniunkturën që kanë pasur çmimet. Sot mund të themi me bindje që me çmimin që ka arritur fotovoltaiku, të paktën këtë dyvjeçarin e fundit nxjerr pothuajse jashtë loje parkun eolik. Ka një rënie drastike të çmimit të paneleve dhe përmirësim të dukshëm teknologjik të tyre që ka rritur rendimentin. Për shembull, LG Solar që është një nga më të mirët në tregun global, ka arritur të ndërtojë panele me një rendiment 30%, pra nëse deri dje ishin 15% prodhim, sot janë dyfish, plus dhe çmimi është reduktuar me 3-4 herë krahasuar me para dy vite.

Raporti investim dhe kthim investimi mes parqeve eolikë me fotovolatikë i bën të parët të paleverdishëm. Tek eoliku kthimi është më i vonë, sepse kostot e mirëmbajtjes janë të jashtëzakonshme. Energjia nga dielli ka një avantazh që nuk e ka as hidriku dhe as eoliku, pasi impakti mjedisor është zero. Një impiant apo park fotovoltaik montohet dhe çmontohet në çdo kohë, pa pasur nevojë për të prishur strukturat dhe mjedisin përreth tij. Plus që një herë që instalohet, prodhuesit europianë japin garanci 100% deri në rikthimin total të investimit. Kjo do të thotë që panelet garantohen 15 vjet për produkt dhe 30 vjet për rendiment. Për mirëmbajtjen, ty të duhet që të punësosh vetëm një roje dhe një ose dy pastrues për të mbajtur në mënyrë optimale pasqyrën në mënyrë që efekti i agjentëve të jashtëm të mos ndikojë në prodhim.

Plus që gjithë impiantet teknologjike të reja janë me web-server të integruar dhe çdo pajisje është e lidhur në rrjet dhe është e monitoruar online, qoftë nga kompania që merr përsipër zbatimin, qoftë nga prodhuesi. Një impiant fotovoltaik është i lidhur gjithmonë me faktorin kohë. Nëse ai instalohet dhe në harkun njëvjeçar shkëputet 3-4 herë kur kemi të bëjmë me një fuqi të vogël të instaluar për familje, vlera e humbjes është e papërfillshme, por kur flasim për park fotovoltaik flasim për megavat, dhe një ditë e fikur ka mjaft kosto. Pra faktori kohë është ai që në jetëgjatësinë e impiantit ose parkut fotovoltaik të rrit ose të ul shpejtësinë me të cilën të rikthehet investimi.

Shqipëria ka qenë e fokusuar sidomos te prodhimi i energjisë nga burimet hidrike dhe më pas u lakuan edhe parqet eolike, por ende pa konkretizim. Tani duket se ka ardhur koha për energjinë e diellit? Në këndvështrimin tuaj, ku duhet të orientohet zhvillimi?
Unë nuk jam partizan për shfrytëzim të burimeve hidrike në masën që e kemi aplikuar dhe po aplikojmë ne. Ndoshta për kohën kur është marrë vendimi ka qenë çështje dhe situatë emergjente, por sot mundësitë janë të tjera. Kur them nuk jam partizan për pjesën hidrike dhe eolike, e lidh me impaktin mjedisor dhe kthimin e investimit më në afatgjatë.

Kjo ka kosto për Shqipërinë. Impiantet voltaike në një shtet si yni, ku nuk kemi jo vetëm diellin të favorshëm, por edhe klimën në tërësi, me toka jopjellore që nuk kanë asnjë lloj funksioni, është për të ardhur keq që ne duhet të orientohemi drejt një sektori tjetër. Mjaft të shohim shtetet e tjera që janë orientuar drejt fotovolatikut për të kuptuar ku duhet të shkojë. Hidrikun e kemi kaluar si fazë dhe është një gabim që e justifikon koha, pasi dhe kostot për energjinë diellore ishin më të larta, por sot jemi në një terren krejt të ri dhe shumë më të leverdishëm.

Duket sikur përjashtoni totalisht energjinë nga parqet eolikë ndërkohë që ka interes nga investitorë dhe disa leje të dhëna për këtë sektor. Cila është kostoja e një parku eolik?
Kosto e instalimit tek eoliku është nga 800 – 1 milion për megavat. Mirëmbajtja në vazhdim është tjetër gjë dhe shumë e shtrenjtë. Kjo pasi për çdo problem t’i duhet të angazhosh ekip të madh njerëzish, të dërgosh makineri të rënda dhe terreni në këto zona nuk është aq i thjeshtë. Shumë nga investimet eolike dështojnë, pasi faza paraprake e testimeve zgjat nga 6-1 vit.

Pra, para se të instalohet një impiant eolik kërkohet një vlerësim teknik për çdo shtyllë apo mulli ere dhe pozicioni më i favorshëm për të marrë përfitim maksimal. Thjesht për ta spostuar me 100 metra, prodhimi i eolikut mund të bjerë në mënyrë drastike. Ka ndodhur shpesh me kolegët tanë në Itali Austri dhe Gjermani që, pasi janë bërë matje për një vit, investitori është tërhequr, duke kërkuar të çojë ato para në një sektor tjetër, sepse faktori kohë ka kosto të lartë në rastin e prodhimit të energjisë nga era. Eolikët kanë qenë në avantazh dikur, por jo sot.

Për t’u kthyer tek fotovoltaikët, ju si kompani keni instaluar parqe të kësaj natyre? A është i leverdishëm ky investim?
Jo, parqe nuk mund të themi, sepse tani është krijuar kuadri por kemi instaluar impiante familjare monofazë nga 6 kWh e sipër 3-fazorë, 6 kWh e sipër dhe impianti më i madh që kemi bërë është 68.4 kW/p që është kilovat/orë energji diellore në kushte optimale. Është instaluar te një biznes me konsum sa 3-fishi i kësaj që prodhon impianti fotovoltaik. Totali i fuqisë së instaluar për të pesë impiantet është 25 kW/p dhe prodhimi vjetor i parashikuar për to është 191 250 kW.

Pyetja që bëni ju me të drejtë është a ia vlen të investohet në këtë aspekt? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Nëse ti je një subjekt që paguan 2 milionë lekë në muaj për 12 muaj, totali që paguan është 24 milionë lekë që ti i paguan, por nuk të kthehen.

Tani le të marrim si shembull që ti këto 24 milionë lekë t’i pjesëtosh në dy dhe me 12 milionë të vazhdoje të paguaje energjinë dhe 12 të tjerat thjesht i merr kredi në bankë mbi të cilat aplikon një interes 3%. Kjo që po flasim nuk është teorike, e kemi faktike me biznese që kanë instaluar impiante. Në harkun e 5-6 viteve, ti ke rikthyer investimin tënd dhe për këto vite ke totalisht të garantuar impiantin, i cili do të vazhdojë të prodhojë për 30 vite të tjera. Do të thotë që nëse do paguaje energji, këto lekë nuk do të të ktheheshin më, ndërsa duke paguar impiantin ti bën një investim që nga 3% që është i kredisë i rikuperon 15-16% në vit. Nga ana tjetër, nëse do të merrnim një subjekt që harxhon 1 milion lekë në muaj me tarifën e energjisë që është 16 lekë. Këtë po e kthejmë në cent dhe i bie 0.12 euro cent.

Nëse ky subjekt harxhon 1 milion lekë në muaj pjesëtim 16 lekë na rezulton me një konsum 62 500 kilovat. Këtë duhet ta shumëzojmë me 12 që janë muajt dhe konsumi total është 750 mijë kW në vit. Pjesëtuar për prodhimin që mund të japë fotovoltaiku në atë zonë (ne po marrim mesataren e Shqipërisë 1550 kW). Këtij biznesi i duhet një impiant 484 kW. Ky impiant me kostot që kemi arritur sot, pra 800 euro për kilovat të instaluar na del me një kosto 388 mijë euro total. Këto i pjesëtojmë për 12 milionë në vit (88 mijë euro). Pra 388 mijë euro pjesëtim 88 mijë euro na del që investimi shlyhet për 4.4 vjet. Panelet garantohen me një rendiment 30 vjet, inverterët për 7 vjet me një shtesë në koston e investimet mund të shkojë deri në 15 vjet. Amortizimi i paneleve është në masën 2-3% për 30 vjet. Në çdo rast, impiantet garantohen 100% deri në momentin e rikthimit të investimit.

Për cilët sektorë biznesi rekomandohet instalimi i impianteve?
Për çdo biznes që sot paguan një faturë 500 mijë lekë e sipër në muaj për energji elektrike, kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mirë, por kjo nuk e përjashton pjesën tjetër. Duhet të kemi parasysh që në këtë pjesë nuk është se ka profile të caktuara biznesi që mund ta aplikojnë ose jo pjesën e fotovoltaikut apo përfitimin prej tij. Por rekomandohet, sidomos për sektorin e turizmit që ne e shohim si prioritar. Një impiant të tillë ne e kemi instaluar në Durrës. Çfarë avantazhi ka për turizmin? Shqipëria ka pasur përherë problemin e ndërprerjeve dhe defekteve dhe këtë, një biznes mund ta eliminojë plotësisht në rast se është një prodhues i pavarur përmes fotovoltaikut.

Për shembull, ne kemi instaluar një sistem 24 kW/p energji diellore dhe këtë e kemi ndarë në dy njësi. Njërën e kemi bërë 15 kW/p on grid tjetrën 5 kW hybrid. Hibridi ka të integruar një bateri 12 kWh. Çdo impiant fotovoltaik është on grid dhe fiket në momentin që nuk ka energji. Kurse ky që po flasim fiket dhe me baterinë ne izolojmë sistemin dhe fusim në punë impiantin. Kjo eliminon pjesën e gjeneratorit. Teknologjitë e reja për të cilat po investohet në Europë dhe që do të hyjnë në tregun shqiptar si pjesë e ciklit janë shumë eficente. Sot vëmendje po merr pjesa e baterive të hidrogjenit që është shumë efikase, por relativisht e shtrenjtë. Ndoshta duhet të presim dhe pak për këtë pjesë, sapo çmimet të bien disi, që ta bëjë investimin më të leverdishëm.

Mund të marrim një rast konkret për një biznes që ka instaluar një impiant si është prodhimi? Si operon sot ky biznes?
Po le të marrim rastin e një kompanie fason. Biznesi e ka instaluar impiantin dhe nisi punë më 22 janar të këtij viti. Muaji më i mirë i prodhimit është qershori që ka kapur 8.45 MW. Ky impinat po të ishte i lidhur në “Net metering” (matës me dy kahe) do të prodhonte më shumë, sepse ka një paradoks. Klienti ka një fashë orare 08:00-15:00. Pas kësaj ore, klienti e fik impiantin dhe gjithashtu edhe të dielën. Paradoksi qëndron në faktin që po të vazhdojë impianti të prodhojë, energjia tepër nuk hidhet dot në rrjet, pasi faturohet si konsum.

Ky është hendeku që kemi dhe sipas të dhënave tona, OSHEE ka bërë me dije se do ta zgjidhë shumë shpejt çështjen e “Net metering” që do t’i hapte rrugë investimeve të tjera. Ajo që duhet të kuptohet është që impakti social dhe ekonomik është i dukshëm pasi çdo subjekt dhe individ bëhet investitor direkt në energji.

Nëse do të kishim vëmendje më të madhe, ndoshta në kohëra të tilla si thatësira e këtij viti, impiantet dhe parqet fotovoltaikë do të na garantonin më shumë siguri. Sot ndoshta ka nevojë për të rishikuar politikat dhe orientimin në bazë të ndryshimeve klimaterike. Uji po kërkohet gjithmonë e më shumë me rritjen e popullsisë dhe ne nuk mund ta shpërdorojmë thjesht duhet të gjejmë mënyra alternative që na mundësojnë shfrytëzim optimal të një pasurie që për fat të mirë e kemi me bollëk.

Bizneset duket se e kanë kuptuar interesin, po familjarët sa të interesuar janë?
Edhe flitet prej vitesh për përfitimet nga energjia diellore, ende ne kemi njohuri të vakëta kur bie fjala te masa e gjerë. Jo të gjithë e kuptojnë. Le të bëjmë një llogari edhe për një familjar. Ti je një familjar që paguan 10 mijë lekë në muaj, duke futur ngrohje-ftohje pa kursyer. Nëse me këto 10 mijë lekë ti do merrje një kredi, do të paguaje 10 mijë lekë plus 3 për qind për 6-7 vite. A nuk do të ishte më mirë që pas 8 vitesh ti të kesh përfituar energjinë tënde falas sesa t’i paguash këto 8 vite dhe përtej tyre, me çmime që mund të jenë ndoshta dhe më të larta.

Sa shkon zakonisht instalimi i një paneli nëse mund të na jepni një vlerë mesatare?
Sot çdo gjë është shumë më e thjeshtë se para tre vitesh. Duhet marrë informacion, sepse janë të lehtë për t’u instaluar, por ka nevojë për informim teknik për të realizuar këtë. Po e them këtë sepse duke e lënë të lirë tregun dhe duke i dhënë mundësi të gjithëve, do të kemi edhe ulje çmimi për instalimin, pra kosto më të lirë sesa mund ta bëjmë ne si kompani. Tregu ynë shqiptar është ende një treg informal, jo i trajnuar dhe specializuar. Konkretisht me këto produkte që janë në treg pa përfshirë koston e instalimit dhe strukturën (sepse duhet llogaritur si është terreni është kodrinor fushor apo tarrace) ne kemi dalë me një çmim 800 euro kilovat energji diellore.
Me një llogari të thjeshtë, një familjeje nuk i duhet më shumë sesa një impiant me fuqi 5 kW që në kosto shkon rreth 6 mijë euro.

Si e vlerësoni tregun shqiptar sa i përket ofertës që ka për këtë sektor. Sa i kontrolluar është?
Është një treg relativisht i rregulluar. Me operatorë të paktë, por që nëse do të rregullohen edhe dy-tre kufizime që mesa duket jemi në prag të zgjidhjes, duket se do të kemi një rritje të numrit, pasi në dijeninë time ka investitorë të huaj që interesohen për Shqipërinë lidhur me fotovoltaikët dhe gjithë gamën që përfshijnë burimet e rinovueshme. Gjithsesi sot që flasim, produktet ekzistojnë, e vetmja gjë duhet të kenë kujdes qytetarët dhe investitorët është të gjejnë partnerë seriozë.

Nuk ka rëndësi kush përzgjidhet për të zbatuar punën, rëndësi ka që ai që ofron produktin ta ketë të certifikuar. Kjo do të na parandalonte një gabim të madh që bënë fqinjët tanë që investuan në produkte të lira, por që u kthye në një bumerang me një kthim investimi në një afat të gjatë. Ky është një sektor potencial në Shqipëri, fare i paprekur dhe ashtu sikurse ka ndodhur me shumë sektorë herë pas here, shumë do të vijnë të fitojnë shpejt dhe të ikin. Këto nuk janë impiante që po nuk punojnë nuk ka gjë. Këto janë impiante që nëse s’punojnë, ti thjesht ke humbur paratë e tua. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: