UASHINGTON– Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha nëpërmjet faqes së tij zyrtare në “Twitter” se djali i tij, Donald Trump Jr. i cili u takua me një avokate ruse vitin e kaluar është “i hapur, transparent dhe i pafajshëm”.

Në vitin 2016, Trump Jr. është takuar me një avokate ruse, e cila pretendohet të ketë patur informacione të dëmshme për rivalen e babait të tij, kandidaten për presidente, Hillary Clinton.

Gjatë një interviste të martën për televizionin “Fox News” Trump Jr. tha se “gjatë takimit nuk u arrit asgjë, fjalë për fjalë ishin vetëm 20 minuta të humbura kot”.

“Djali im, Donald Jr. gjatë intervistës natën e kaluar, ishte i hapur, transparent dhe i pafajshëm. Kjo është një “Gjueti Shtrigash”, më e madhja në historinë politike”, shkroi sot Trump në profilin e tij në “Twitter”.

Trump Jr. ka publikuar në profilin e tij në Twitter disa e-maile të shkëmbyera me ndërmjetësin Rob Goldstone, një publicist i muzikës, i cili i ofronte atij “disa dokumente dhe informacione zyrtare kundër Clinton , të cilat do të ishin të dobishme për babain e tij”.

Shkëmbimi i e-maileve tregon se takimi ishte planifikuar më 9 qershor 2016, në kullën “Trump”, pesë muaj para zgjedhjeve të fituara nga babai i tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: