BRUKSEL– Presidenti amerikan Donald Trump sërish ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, për shkak të sjelljes së tij aspak miqësore ndaj kryeministrit malazez. Teksa sekretari i përgjithshëm prezantonte selinë e re të NATO-s, Trump ka dashur të jetë me doemos i pari në radhë, duke shtyrë me ashpërsi kryeministrin e Malit të Zi, dhe duke dalë para tij.

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic, e ka komentuar me “sportivitet” këtë gjest duke u shprehur se Trump e meriton të jetë në rendin e parë të liderëve, si udhëheqës i superfuqisë më të madhe botërore.

“I kam parë reagimet. Ajo ishte një situatë pa ndonjë tendencë. Nuk e përjetoj në asnjë mënyrë tjetër. Është normale që Presidenti i SHBA-së të jetë në rendin e parë. Mali i Zi mbetet i dedikuar ndaj miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh kryeministri i Malit të Zi.

Markovic, vendi i të cilët dje formalisht ka marrë pjesë në takimin e NATO-s, pak ditë para anëtarësimit të plotë në aleancën më të fuqishme të botës, e ka falënderuar Trumpin për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në Senatin Amerikan.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb