Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Unë jam i sigurt se ‘Lahuta e Malësisë’ është një kryeve për, por është në dialekt dhe do të vijë koha kur ‘Lahuta e Malësisë’, kryevepra e Gjergj Fishtës, e shkruar në dialektin gegë të ripërshtatet me gjuhën shqipe të sotme”. Kështu është shprehur Edmond Tupja në një emision televiziv. E mbas kësaj fraze, të shumta kanë qenë reagimet. Një prej atyre që kanë dalë kundër profesor Tupjes, ka qenë gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ajo ka shkruar se “hartuesi i një fjalori mjaft të mirë sinonimesh, të cilat nuk ke se ku i gjen tjetër përveçse në krejt trashëgiminë gjuhësore të shqipes, hartuesi Edmond Tupe, sot më la pa fjalë me një ‘propozim’ të tij mbi ‘Lahutën e Malcisë’ së Fishtës. Tupe propozon që ‘Lahuta’ u dashka kthyer në shqipen standarde që të kuptohet, dhe ky ‘përkthim’ shqip-shqip i bie të jetë e vetmja rrugë”. Ndërsa tregon se pse është kundër kësaj ideje, ajo jep shembuj se si duhet shpjeguar ‘Lahuta’ që të kuptohet. “Sigurisht që jam kundër, pasi është kundër këtij propozimi çdo parim filologjik po edhe didaktik gjuhësor. Së pari, nuk është aspak e vërtetë që ‘Lahuta’ është e pamundur të kuptohet. Unë kam dhënë për disa vite në fakultet lëndën ‘Kulturë gjuhe’ dhe këngë të veçanta magjiplote nga ‘Lahuta’ e Fishtës i kisha pjesë të këtij cikli leksionesh. Dhe me pak ushtrim e thyerje veshi të mpirë nga edukimi i thatë gjuhësor, studentët jo vetëm që e kuptonin, por edhe e analizonin gjuhësisht dhe madje e recitonin me dëshirën e tyre. Dhe i shihja si gëzonin e madje habiteshin që nuk qenkësh e vështirë siç duket”, – thotë Shamku. Sipas saj, thjesht lypet të shoqërohet me një aparat të thjeshtë kritik e shpjegues, siç i shoqëronte Çabej tekstet e veta shkollore, ku sillte edhe copa nga Fishta e Gjeçovi, edhe tekste arbëreshe, kuptohet pa i shkuar kurrë në mend t’i ‘shqipëronte’ nga shqipja në shqipe. Në fund, jo pa ‘inat’, gjuhëtarja thotë: “Ç’dreqin është kjo mani për të fshirë trashëgiminë e për të kolonizuar vetveten? Kjo mendësi më kujton fill qen bishtgjatin te ‘Liza në botën e çudirave’, i cili ecte para dhe bishti i fshinte menjëherë gjurmët që linte pas. Kam parë se Dante Alighieri studiohet në gjimnazet e fqinjit tonë me idiomën e vet e me aparat shpjegues, e nuk i shkon kujt në mend ta ‘hekurosë’ në standard. Habitem si ka ende ide të tilla që shkrumbojnë shqipen…”.
Pos Ledi Shamkut, ka pasur edhe reagime të tjera, ku shumëkush nuk ka ngurruar të sugjerojë se veprat e Migjenit apo të Ndre Mjedës kanë njohur përhapje megjithëse të shkruara në gegnishte.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: