Kajakistë dhe admirues të natyrës nga e gjithë Evropa, që janë nisur 26 ditë më parë nga Sllovenia, kanë mbërritur në rrjedhën e Vjosës. Ata kanë përshkruar mbi 17 lumenj në vende të ndryshme të Ballkanit, për të ndërgjegjësuar publikun për rëndësinë e ruajtjes së këtyre perlave natyrore me biodiversitetin dhe peizazhin që ato ofrojnë.

Vjosa buron në veriperëndim të Greqisë në Epir dhe derdhet në Shqipëri në Detin Adriatik. Në Antikitet Vjosa njihej me emrin Anio.

Lumi Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në lindje të Janinës. Rrjedha e tij vazhdon në drejtim të veriperëndimit për në Shqipëri. Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, kurse rreth 192 km brenda territorit të Shqipërisë.

Lumi Vjosa, rrjedha e të cilit përshkon jugun e Shqipërisë, është dhe kufiri ndarës natyror midis rrethit të Fierit dhe rrethit të Vlorës. Ai është një lum i lundrueshëm, pasi rrjedh kryesisht në zona fushore.

Në zonën e Konicës lumi e kalon kufirin greko-shqiptar dhe rrjedh në një reliev të thyer malor ku formon kanione,guva shpella të shumta që janë të lakmueshme për pasionantët e sporteve ujore. Vet rrjedha e këtij lumi, krijon një peizazh të bukur natyror e turistik. Gjatë rrjedhës ka mjaft burime ujore dhe vend me pellgje ku uji i tyre përdoret si burim kurativ.

Në largësinë rreth 3 km nga qyteti i Këlcyrës ndodhen Rrepet e Grykës, që funksionojnë si pikë turistike. Peizazhi i drurëve pyjorë i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës Gryka e Këlcyrës gjendet burimi ujor Uji i Zi, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazëvendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreative për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Vjosa është quajtur si i vetmi lum i egër në Ballkan dhe për këtë arsye është kërkuar nga ambientalistët që të mbetet i paprekur dhe jashtë projekteve të ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e tij. Edhe ky demonstrim sportiv i këtyre ditëve ka për qëllim sensibilizimin që lumi Vjosa të mbetet natyral. Turi sensibilizues do të zgjasë deri në datën 18 maj.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: