ANKARA – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pritur sot në Ankara, homologun e tij rus Vladimir Putin, për të forcuar lidhjet që kanë mbetur të forta edhe pas mosmarrëveshjeve për krizat në Siri dhe Ukrainë.

Mediat e huaja njoftojnë se bisedimet pritet të përqëndrohen në bashkëpunimin energjetik me Turqinë, e cila kërkon jo vetëm një reduktim të çmimit të gazit nga Rusia, por edhe sasi më të mëdha për të importuar në prag të dimrit.

Kjo është hera e parë që Erdogan dhe Putin takohen ballë për ballë, qëkurse Erdogan la postin e kryeministrit për t’u bërë President, ndryshim që Putin e bëri në vitin 2012.

Analistët shpesh kanë thënë se 60-vjeçari Erdogan dhe 62-vjeçari Putin, kanë ngjashmëri. Ata janë thuajse në një moshë, janë burra të fortë dhe karizmatikë e që të dy akuzohen për autoritarizëm.

Rusia dhe Turqia duket deri tani kanë arritur t’i mbajnë të forta, marrëdhëniet ndërmjet tyre, pavarësisht krizave në Siri dhe Ukrainë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: