Autoritetet turke lëshuan sot urdhër-arreste për 35 gazetarë dhe profesionistë të medias, nën dyshimin për lidhje me klerikun mysliman Fetullah Gulen, të akuzuar për organizimin e grushtit të dështuar të vitit të kaluar.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu” pretendohet se të dyshuarit kanë përdorur një aplikacion për mesazhe, rekomanduar nga ndjekësit e udhëheqësit shpirtëror me vendndodhje në SHBA, Gulen, për të komunikuar me njëri-tjetrin. Sipas “Anadolu-t” dyshohet se gazetarët janë “anëtarë të një organizate terroriste”.

Nëntë vetë janë arrestuar në kryeqytetin turk Ankara në goditjen më të fundit ndaj gazetarëve, përfshirë një redaktor të gazetës opozitare “Birgun”, Burak Ekici.

Shoqata e gazetarëve turq njoftoi se që nga përpjekja e dështuar e korrikut 2016 për të rrëzuar nga pushteti presidentin Rexhep Tajip Erdogan, janë mbyllur rreth 150 organe mediatike dhe 160 gazetarë turq janë burgosur.

Autoritetet kanë burgosur gjithësej 50 mijë vetë ndërsa më shumë se 100 mijë punonjës qeveritarë kanë humbur vendet e punës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb