SHKODER – Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka rivlerësuar dje masën e sigurisë për ish-kreun e Komunës së Velipojës, Nikollë Marku, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, nga “Arrest me burg” që kishte dhënë pak ditë më parë. Marku akuzohet për dhënien e 50 lejeve të ndërtimit në bregdetin e Velipojës përgjatë vitit 2010.

Ndërsa, për 8 ish-zyrtarët e tjerë (ish-anëtarë të KRRT-së) gjykata vendosi, masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” për katër prej tyre dhe “Garanci pasurore” për katër të tjerë.

Çështja u gjykua nga gjyqtarja Luveda Dardha, ndërsa provat materiale u paraqitën nga prokurori, Arben Smaçi. Seanca gjyqësore, e cila zgjati për afro 4 orë, u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa jashtë gjykatës qëndronin familjarët e të pandehurve.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i ishkryekomunarit të Velipojës u shpreh se nuk është dakord me vendimin e gjykatës, e cila dha “Arrest shtëpie” për ish-kryekomunarin Marku.

Sipas mbrojtjes, gjykata në shqyrtimin e saj konstatoi se lejet e ndërtimit janë dhënë në përputhje me vendimet e KRRTRSH-së. Nikollë Marku së bashku me 8 ish-zyrtarë të Komunës së Velipojës u arrestuan më 2 tetor të këtij viti për veprën penale “Shpërdorim detyre”. mi.ra.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb