Bamirësi britanik që u dënua me 20 vite burg për abuzim me fëmijët jetimë në Shqipëri, pritet të lërë qelitë dhe të lirohet nga akuzat pas tërheqjes së dy prej minorenëve që e akuzuan, shkruan sot Mirror.
David Brown ndodhet në burg prej 11 vitesh por tashmë pritet të lirohet pasi dy fëmijët që e akuzuan kanë deklaruar se ‘janë detyruar të gënjejnë’.

Brown, tani 66 vjeç, nga Edinburgh, Skoci u dënua me 20 vite pasi dy djem, rezidentë në një qendër që e kishte ngritur britaniku për fëmijët me probleme, dëshmuan kundër tij.

Por, tani ‘viktimat’ në moshë 18 dhe 22-vjeçare kanë thënë se ata kanë gënjyer pasi policia dhe psikologu i detyruan të bënin dëshmi të rreme.

Të dy paditësit thanë se janë të gatshëm të pranojnë se gënjyen fillimisht në gjykatë, një lëvizje e cila do të çonte në lirimin e Brown.

Në total, 10 djem dhanë dëshmi kundër të akuzuarve të tjerë si bashkëpunëtorë të Brown, Dino Christodoulou, 52 vjeç, tashmë një pedofil i dënuar dhe Robin Arnold, 63 vjeç.
Brown, i cili nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka deklaruar se është i pafajshëm, beson se makthi i tij në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mund të jetë drejt fundit.

Duke folur nga qelia e tij e burgut për Daily Record, ai tha se do të qëndrojë në Shqipëri për të mbledhur pjesë të punës së tij kur të lirohet.
I pari nga dy dëshmitarët që akuzoi Brown, Andon Qoshli, tani 22 vjeç, konfirmon se ai do të tërheqë padinë që dha në gjykatë kur ishte 13 vjeç.

“Psikologu dhe polici që hetonte çështjen më bënë presion të thosha se Davidi kishte abuzuar me mua. Ai nuk e ka bërë dhe më vjen keq që ai është në burg. Do doja ta shihja atë jashtë dhe ta përqafoja. David na mori nga rruga dhe na çoi në shkollë”, tha Andoni.

Andon Qoshlli (majtas) dhe Denis Aliu (djathtas)
Andon Qoshlli (majtas) dhe Denis Aliu (djathtas)

Nëna e Andonit, Luiza, 53 vjeçe tha se ajo nuk ishte me të birin kur ai dha dëshminë.
“David nuk duhet të jetë në burg. Ai i shpëtoi jetën djalit tim dhe Andoni më ka thënë disa herë se ishte Dino që abuzoi me të. Ne ishim një familje e varfër dhe unë nuk kisha kushtet ekonomike për të rritur fëmijët e mi”, ka thënë ajo.

Tashmë 18 vjeç, dëshmitari i dytë, Denis Aliu deklaron se ai ishte një 6-vjeçar i terrorizuar dhe ishte kërcënuar nga policia që të deklaronte se ishte abuzuar nga Brown.

Denis, të cilin Brown e kishte hequr nga një jetë e tmerrshme në rrugët e zonës së Yzberishtit në Tiranë dhe e kishte çuar në shtëpinë e tij tha: “Davidi nuk duhet të jetë në burg. Isha i vogël në atë kohë dhe i thashë gjykatës se çfarë psikologu më porositi të thosha. Ajo më dha dhurata si top futbolli, ëmbëlsira, për të ngrënë dhe para, gjithçka për të më bërë të lumtur dhe që unë të mund t’i thoja gjykatës atë çfarë donin ata. Unë e thërrisja Davidin baba. E di që kam bërë një gabim të madh dhe dua të shkoj në gjykatë për ta rregulluar atë”.

Ai shtoi se u përgatit nga psikologu i shtetit para se të jepte dëshminë. Denisi shtoi: “Pak para se të jepja dëshminë, psikologu tha: ‘Shko dhe thuaj çfarë të mësova’”.
Denisi ka folur gjithashtu për përgjegjësinë e tij në 11 vitet e ferrit për Brown në burg.
Ai tha: “Kam një faj të madh mbi vete dhe dua t’i rregulloj gjërat dhe të ndihmoj që ai të lirohet”.
Avokatja e Brown, Gjystina Golloshi tha: “Dëshmia e dy djemve ishte shumë e dobët dhe u dha pasi ata kaluan u frikësuan dhe manipuluan nga policia dhe prokurorët. Tani të dy kanë tërhequr akuzat ndaj David Brown dhe ndihen shumë keq për dënimin që ai ka kryer për diçka që nuk e ka bërë. Pa akuzat e tyre, rrjedhimisht nuk ka çështje kundër David dhe autoritetet nuk kanë rrugë tjetër veçse ta lënë të lirë pasi Gjykata e Lartë të dëgjojë të gjitha provat”.

Golloshi tha se prokurorët nuk kanë marrë pjesë në një seri seancash që duhet të hapnin rrugën për lirimin e tij, brenda një viti, duke përfshirë edhe një seancë të enjten e kaluar.

David-Brown-paedophile-Albania-November-2008

Ajo shtoi: “Ne tani kemi një datë të caktuar për të dëgjuar dy djemtë në Gjykatën e Lartë më 20 mars, çka është e mundur pasi të dy janë mbi 18 vjeç.

Brown erdhi në Shqipëri në vitin 2000 pasi iu bashkua në grupet humanitare skoceze që i erdhën në ndihmë refugjatëve kosovarë.

Ai u erdhi në ndihmë fëmijëve romë që lypnin në rrugë duke i siguruar ushqime dhe të holla.
Një vit më pas, me mbështetjen e kishave në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar ai hapi një jetimore ku strehoi fëmijët me probleme dhe u jepte mësime bible.

Në gjyqin kundër tij, disa të rinj dëshmuan në mbrojtje të tij. Brown ka punuar me fëmijët për 35 vite në Skoci. Ai pranoi se ishte treguar naiv duke mos kontrolluar të kaluarën e të gjithë vullnetarëve që kishte marrë për të ndihmuar fëmijët.

Pas u dha vendimi mbi abuzimin në vitin 2006, policia shqiptare dhe shërbimet sociale bastisën jetimoren dhe Brown u arrestua. Dhjetë djem, të moshës ndërmjet 4 dhe 13 vjeç, i thanë policisë se ishin abuzuar seksualisht nga një ose tre britanikë, të cilët ishin akuzuar për “marrëdhënie homoseksuale me të mitur”.

David Brown

Në disa raste, fëmijët pretenduan se ishin lidhur në një ballkon, iu ishte mbyllur goja dhe ishin përdhunuar.

Christodoulou, një infermier nga Blackburn, Lancashire, dhe Arnold, një shitës nga Cromer, Norfolk, u ekstraduan nga Britania e Madhe dhe u gjykuan dy vjet pas dënimit të Brown.

Christodoulou, i cili kishte qenë i dënuar për abuzim të fëmijëve në Britani, është dënuar me 20 vjet dhe Arnold u burgos për 15 vite e 6 muaj.

Brown, i cili ndodhet në burg që nga viti 2006, ka ankimuar dënimin më parë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, por kërkesa e tij u refuzua.

Ai vuan dënimin në burgun 302 tek “Mine Peza”, ku është i vetmi i huaj mes 300 të dënuarve.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëria nuk është përgjigjur kërkesës së “Mirror” për një koment për çështjen. Albert Malaj, drejtori i burgut 302 tha: “David Brown është një njeri i devotshëm. Çdo ditë ai merr më shumë se 10 letra nga mbështetësit e tij nga vende të ndryshme. Kjo është diçka unive për një të burgosur në burgjet shqiptare”.

Pavarësisht zhvillimeve, Brown do të qëndrojë pas hekurave edhe për një vit tjetër.
Gjykata në Tiranë do të duhet të dëgjojë dëshmitë e reja të dy djemve. Më pas 5 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë do të marrin një vendim.

Përktheu për BalkanWeb: Miranda Kastrati

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb