TIRANE– Petrit Vasili u dorëhoq nga posti i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, ndonëse kishte pak muaj në krye të kësaj partie.
Anëtarët e kësaj force politike zgjodhën me votim të hapur në krye të LSI-së, Monika Kryemadhin.

Pas këtyre lëvizjeve, për deputetin e LSI Petrit Vasili, u caktua një detyrë tjetër.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LSI, u vendos që Petrit Vasili të jetë kryetar i grupit parlamentar të kësaj force politike.

Këtë e ka shprehur nënkryetari i LSI, Luan Rama, në një konferencë për mediat, fill pas mbledhjes së Kryesisë.

Sakaq, ai foli edhe për grupet e posaçme të punës së ngritura brenda Kryesisë së LSI, dhe për kampingun veror të të rinjve të LRI në Jalë.

“Kryetar i grupit Parlamentar të LSI do të jetë Petrit Vasili. Do të vijohet duke përcaktuar edhe raportimin e funksionimit dhe bashkëveprimit mes strukturave të partisë dhe grupit të ri parlamentar që do të ketë LSI në Kuvend. Do të vazhdojmë me të njëjtin angazhim për përmbushjen e të gjitha veprimtarive të përcaktuara në planin e veprimit politik dhe organizativ të partisë që me fillimin e vitit.

Do të vijojmë edhe këtë vit me kampingun e Jalës, një veprimtari e kthyer në një institucion të formimit politik, dhe të krijimit të shkollës dhe debatit mes të rinjve, çka është edhe një prej vlerave më thelbësore të LSI.

Janë krijuar edhe grupe të posaçme pune në përbërje të kryesisë, ku do të ketë projekte që do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme”, u shpreh Luan Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb