Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar dhe ka nisur procedurën për shkarkimin nga puna të përgjegjësit të Grupit të Sigurisë në burgun e Peqinit, Behar Kola, i cili u filmuar duke marrë para.

Menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani ka marrë vendimin për shkarkimin e gardianit me gradë komisar.

“Pas pamjeve të publikuara në emisionin investigativ STOP ku punonjësi i Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale IEVP Peqin, komisar Behar Kola me detyrë Përgjegjës i Grupit të Sigurisë dhe Shoqërimit shfaqet duke marre ryshfet, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ju bën me dije se:
1- Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të punonjësit në fjalë.
2- Nisjen e menjëhershëm të procedurës së shkarkimit.
3- Referimin e rastit në fjalë në instancat përkatëse
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve inkurajon çdo media që të jetë krah për luftimin e të tilla rasteve sa të paligjshme aq dhe të papëlqyeshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Miklovan Kopani gjen rastin dhe njëherë që t’i bëjë thirrje çdo punonjësi të sistemit penitenciar që të zbatojë me rigorozitet vetëm ligjin në respekt të punës dhe institucionit. Ju faleminderit”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb