TIRANE – Marrëveshja mes universitetit, Bankës Credins dhe SiCRED lehtëson pagesën për shkollimin dhe sigurim jete e shëndeti falas. Universiteti Europian i Tiranës, Banka Credins dhe kompania SiCRED bënë publike dje arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët në mbështetje të studentëve me Kredi studentore. praktikisht pa interes për studentët dhe sigurim jete dhe shëndeti falas.

Kjo marrëveshje u vjen në ndihmë të gjithë studentëve të cilët dëshirojnë të finalizojnë studimet e tyre në UET, por mund të gjenden në vështirësi financiare për t’i kryer ato. Kredia studentore e ofruar nga “Banka Credins” do të përfshijë vetëm shlyerjen e tarifës së studimit në degën përkatëse me 50 euro në muaj për 4 vite ose 40 euro në muaj për 5 vite, ndërsa normat e interesit do të mbulohen 100% nga Universiteti Europian i Tiranës për çdo student që merr kredinë.

Gjithashtu, administratori i UET, Henri Çili, i pranishëm në përurimin e marrëveshjes, sugjeroi të gjithë studentët e UET-it, pra jo vetëm ata që do të përdorin kredinë studimore, të kenë mundësi të aksesojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit, falas, nga kompania partnere SiCRED. Polica e sigurimit e ofruar nga kompania do të mbulojë një fond prej 3 milionë lekësh të vjetra për student, vetëm gjatë viteve të studimit, në mbulimin e kostove të shërbimit shëndetësor në rast aksidenti apo sëmundjeje.

“Gjithashtu, karta e sigurimit e mundësuar nga kompania, u lejon të gjithë studentëve që do ta kenë atë, të përfitojnë 50% zbritje çmimi për shërbimin shëndetësor në të gjithë rrjetin mjekësor të SiCRED, i cili numëron mbi 50 spitale brenda dhe jashtë Shqipërisë”,- informoi përfaqësuesja e kompanisë, Gladiola Jani.

Sa i përket kredisë studentore, Drejtoresha e Produkteve në Bankën Credins, Ilda Vaso shprehu entuziazmin e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm me universitetin për projektet e ndryshme në mbështetje të studentëve apo edhe të nisura nga ata. “Duhet ta perceptoni bankën jo si diçka të huaj e të largët, por si partnere. Të gjithë ju, duke filluar që nga ky moment, do të keni mundësi të financoni studimet tuaja përmes një kredie bankare, duke e ndarë shumën e kredisë në këste të vogla, të përballueshme nga të gjitha familjet tuaja, pa paguar as një lek mbi tarifat standarde të universitetit”,- tha Vaso.

Universiteti Europian i Tiranës është përpjekur, gjatë gjithë 10 viteve të tij në tregun arsimor, të akomodojë çdo kërkesë nëpërmjet metodave të ndryshme menaxheriale. Por kjo gjë, jo gjithmonë ka qenë e mundur për këdo. “Falë kredisë shumë lehtësuese të këtij produkti me Bankën Credins, ne mund të akomodojmë 100% të kërkesave. Tashmë, kushdo e ka mundësinë të studiojë në UET, në kushte shumë të përshtatshme”, – deklaroi administratori i UET-it, Henri Çili.

Marrëveshja e Universitetit Europian të Tiranës me SiCRED dhe Bankën Credins, hedh bazamentin e strukturës së rregullt të praktikës së sigurimeve, e cila, e përfshirë në Reformën e Arsimit të Lartë, është sanksionuar edhe në ligjin e ri të Arsimit të Lartë. “Nuk ka nevojë të jesh i pasur për të përfituar një arsimim cilësor. E vërteta është se mjafton të jesh një familje normale shqiptare. Mënyra e shtrirjes, strukturimit, afati dhe sasia e kësaj kredie studentore është e përballueshme për këdo. Ndërkohë, kush ndjek studimet, fiton avantazh në tregun e punës, fiton avantazh absolut për të pasur një shpërblim më të mirë në të ardhmen”,- përfundoi administratori i UET.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb